Sporti

Debutoi në Ukrainë, flet Ilir Krasniqi: Kualiteti është i madh këtu, me performanca të mira dua të fitojë minuta edhe tek kombëtarja

09/26/2024 12:07
nga:Lorik J

Futbollisti i talentuar kosovar, Ilir Krasniqi arriti transferimin nga KF Llapi tek FC Kolos Kovalivka në Ukrainë gjatë merkatos së fundit të transferimeve.

Tashmë, aventura e Ilir Krasniqit në klubin ukrainas ka filluar dhe 24 vjeçari ka bërë dy paraqitje solide në ekipin e Kovalivkas.

Mbrojtësi thotë se në klubin ukrainas është pritur tejet mirë dhe se ka mbështetjen e të gjithëve.

“Jam shumë i lumtur për mënyrën se si më kanë mirëpritur në klubin e ri. Të ndiej mbështetjen e trajnerit dhe të bashkëlojtarëve është diçka shumë e rëndësishme për mua. Minutat që kam marrë më kanë ndihmuar të rris vetëbesimin dhe të përshtatem më shpejt me stilin e lojës”, tha fillimisht Ilir Krasniqi për ‘GazetaBlic Sport’.

Sipas Krasniqit, kualiteti në Ukrainë është i lartë – teksa ai po adaptohet dita-ditës me futbollin atje.

“Kualiteti i ligës është lartë dhe çdo ndeshje ka intensitet të madh. Nuk ishte e lehtë të adaptohesha që në fillim, por falë ndihmës së stafit dhe shokëve të skuadrës, po përmirësohem dita-ditës dhe ndiej që po integrohem gjithnjë e më mirë”, vazhdoi ai.

Krasniqi i cili konsiderohet si një lojtar mjaft premtues tash e një kohë merr ftesë nga kombëtarja e Kosovës. Ai pret që me performanca të mira të ftohet sërish nga Foda në të ardhmen.

“Pa dyshim, kalimi në këtë klub është një hap i madh në karrierën time. Shpresoj që me performanca të mira dhe vazhdimësi, të arrij të fitoj më shumë minuta edhe në Kombëtare. Është një nga synimet e mia kryesore dhe do të bëj gjithçka për ta arritur”, përfundoi Krasniqi.

/GazetaBlic Sport