Mesfushori Juljan Shehu, ishte pika e ‘ëmbël’ e këtij grumbullimi tek Kombëtarja e Shqipërisë, për dy ndeshjet e muajit mars.
Shehu debutoi në moshën 26 vjeçare me fanellën kuq e zi, duke bërë një paraqitje fantastike në fitoren prej 3 me 0 ndaj Andorrës.
93% e pasimeve të sakta, 140 prekje të topit, 5 duele të fituara, 3 herë i fauluar dhe shumë i qetë e i matur në veprimet e tij me topin, ishin disa nga cilësimet që e karakterizuan paraqitjen e tij në këtë takim.
Në një intervistë ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’, Julian Shehu tha se paraqitja dhe debutimi ishte një ëndërr e realizuar dhe do të jetë një nga netët më të paharrueshme në jetë.
“Për mua ishte një ëndërr e realizuar, do të jetë një nga netët më të paharrueshme të jetës sime. Jam shumë krenar sepse të përfaqësosh kombin tënd është një nga ndjenjat më të bukura në botë“, tha fillimisht ai.
Tutje, ai kishte një falënderim të veçantë për gjithë tifozët për mbështetjen, gjithashtu dha një premtim të madh për të ardhmen.
“Fillimisht doja të falenderoja të gjithë tifozët kuqezi për mbështetjen dhe inkurajimin dhe të gjithë njerëzit për komentet pozitive. Gjithmonë do të bëj maksimumin për të ndihmuar kombëtaren të fitojë sa herë që më jepet mundësia, qoftë nga minuta e parë apo edhe vetëm një minutë”, vazhdoi tutje Shehu.
Mesfushori shqiptar u pyet gjithashtu për ndeshjen ndaj Serbisë, e cila zhvillohet në muajin qershor. Shehu tha se asnjë rezultat tjetër nuk do të ishte i denjë për futbollistët dhe për të gjithë shqiptarët përveç fitores.
“Ndeshja me Serbinë mendoj se duhet mbajtur në kuadër të një ndeshje futbolli pa ngjyra të tjera që nuk kanë lidhje me futbollin, si e tillë duhet të kontrollojmë emocionet dhe të fokusohemi vetëm te futbolli. Për ne fitorja është e rëndësishme sepse jemi përballë tifozëve tanë dhe asnjë rezultat tjetër nuk do të ishte i denjë për ne dhe për të gjithë shqiptarët. Serbia, si Andorra, Letonia dhe çdo skuadër tjetër vlen 3 pikë dhe ne do të bëjmë maksimumin në fushën e lojës për të arritur këtë objektiv“, përfundoi Shehu.
/GazetaBlic Sport/