Rolando Maran, debutoi me humbje në stolin e Shqipërisë. Pas ndeshjes me Izraelin, tekniku kuqezi u shpreh se miqësorja kishte aspekte pozitive, por edhe negative.
Italiani theksoi se i kishte kërkuar skuadrës të bënte presion lart dhe kjo prishi ekuilibrat mbrapa.
Ndër të tjera ai theksoi se Kombëtarja duhet të përmirësohet në ndeshjet e ardhshme.
“Minutat e fundit nuk ishin të mira për skuadrën tonë. Kjo ndeshje, ka pasur aspekte pozitive, por edhe negative. Statistikat nuk tregojnë atë që treguam në fushë. Kemi ndërtuar më shumë se kundërshtari, por nuk ishim të saktë në finalizimin e aksioneve.
Pas ndeshjes, është diçka që e bëj gjithmonë të flas me ndihmësin tim. E bëjmë edhe gjatë kohës kur luhet ndeshja, apo edhe në dhomat e zhveshjes.
Ajo që ne duam të arrijmë, është që të jemi të mirë në vënien në presion. Të mos e humbasim ekuilibrin. Ia kërkova vetë lojtarëve që të bënin presion lartë dhe e humbëm ekuilibrin. Kjo nuk duhet të ndodhë.
Ne duhet të shohim mënyrën si rritemi si skuadër dhe jo të shikojmë rezultatin e kundërshtarit. Duhet të shohim disa ndryshime të skuadra. Duhet të përmirësohemi”, deklaroi Maran.


