Skuadra e Prishtinës ka luajtur sot një ndeshje miqësore me ekipin e Trepçës 89′.
Ekipi i Ismet Munishit ka fituar këtë ballafaqim me rezultatin 3-0, shkruan GazetaBlic Sport.
Në këtë ballafaqim shënoi edhe futbollisti i ri i Prishtinës, Arlind Dobroshevci – i cili ndihet shumë i lumtur me fitoren dhe golin e realizuar.
Për të kjo ishte ndeshja e parë me ekipin e seniorëve të Prishtinës dhe 16 vjeçari potencon se ishte një ndjenjë shumë e mirë.
“Po, kjo është loja ime e parë, me ekipin e parë të FC Prishtinës. Si 16 vjeçar jam ndier shumë i lumtur dhe i emocionuar për debutimin tim, fitoren dhe normalisht edhe për golin”, tha fillimisht Arlind Dobroshevci për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai theksoi se goli i jep motiv të punojë edhe më shumë për të ardhmen.
“Ky gol më jep motiv edhe më të madh që të vazhdojë të punojë edhe më shumë. Gjithashtu, jam mjaft i lumtur me trajtimin që kam te faza përgatitore, te Prishtina”, vazhdoi ai.
Synimi i Dobroshevcit është që në sezonin pranveror të marrë më shumë minutazh.
“Me punë dhe angazhim besoj që në sezonin pranveror do të arrijë të marrë minutazh me ekipin e parë. Trajneri Ismet Munishi njihet si një nga trajnerët që jep mundësi lojtarëve të rinj”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


