Sporti

Debatik Curri: De Biasi më kanë inspiruar, kam mësuar shumë nga italiani

04/16/2023 22:27
nga:Lorik J

Ish qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare dhe tashmë trajneri i klubit kosovar Prishtina Debatik Curri, të dielën ishte pjesë e emisionit sportiv “Koha Shtesë”. Me formën jo të qëndrueshme të Prishtinës këtë edicion Currit iu dha përgjegjësia për të drejtuar skuadrën pas largimit nga detyra të liderit të mëparshëm, Ismet Munishi. Pas fitores në fundjavë përballë Ferizaj me rezultatin 2-0 skuadra e tij është në vendin e katërt në Superligën e Kosovës me 41 pikë, vetëm 2 më pak se Gjilani që renditet një pozitë më lart. Curri foli lidhur me qëllimet e skuadrës deri në përfundim të këtij kampionati, dhe cili trajner ka pasur ndikimin më të madh tek ai gjatë karrierës si futbollist profesionist dhe tani si trajner.

Si fillojë karriera e juaj si trajner?

“Ëndrra ime ishte ta përfundoja karrierën si futbollist profesionist me Prishtinën, u bënë 4 vite si ndihmës trajner tek ajo dhe tani jam trajner i saj, shpresoj të vazhdojë forma e mirë në drejtimin tim. Unë mendoj se është një statistikë e mirë që kemi arritur deri më tani të fitojmë 5 dhe humbim 2.”

Cilat janë qëllimet tuaja deri në përfundimin e këtij edicioni?

“Do punojmë maksimalisht për pozitën e tretë, siç dihet jemi edhe në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe kemi dy ndeshje për t’i zhvilluar dhe nëse vazhdojmë më tutje ne mendojmë për fitoren.”

Cilët janë trajnerët të cilët kanë lënë përshtypjen më të madhe dhe kanë pasur ndikimin më të madh tek ju?

“Dy trajnerë të cilët mund të veçojë në kombëtaren shqiptare janë Oto Baric dhe Gianni De Biasi, veçanërisht De Biasi për atë çfarë ka bërë për mua. Kam mësuar shumë nga ai.”

Cili është faktori kryesorë i cili ka sjellë suksesin e Prishtinës, a keni bërë ndonjë ndryshim për ta mundësuar?

“Kam bërë ndryshime, i kam dhuruar lojtarëve të cilët nuk kanë pasur shumë minuta mundësi të tregojnë atë çfarë mund të bëjnë.”

A keni diskutuar lidhur me një kontratë të plotë dhe afatgjate tek Prishtina?

“Do jap maksimumin tim për të bërë më të mirën, është diçka e mirë që klubi beson tek unë, kur të vendosë klubi atëherë do të jetë momenti i duhur për biseda lidhur me kontratën time.”