Sporti

De Laurentiis ironik: Ai është polak, mjegulla i pëlqen më shumë se dielli!

12/23/2023 08:20
nga:E K

Piotr Zielinski është një nga lojtarët më të rëndësishëm në organikën e Napolit me mesfushorin që nga viti 2016 është pjesë e të kaltërve.

Mirëpo, kurrë më parë e ardhmja e tij nuk ka qenë kaq në pikëpyetje sa në këtë moment. Drejtuesit e klubit dhe polaku nuk po gjejnë ende gjuhën e përbashkët ndërkohë që kontrata aktuale skadon në verën e vitit 2024.

Napoli rrezikon ta humbasë 29-vjeçarin me parametër zero, e për më tepër tek rivalët e kampionatit si Inter apo Juventus që prej kohësh kanë “hedhur grepat” në drejtim të Zielinskit. I pyetur mbi rinovimin me mesfushorin, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis theksoi se bisedimet vazhdojnë, por la të kuptohet se ekziston mundësia reale që palët të ndajnë rrugët përfundimisht.

“Ne jemi në bisedime, por ju kujtoj se Zielinski është nga Polonia, atij nuk i intereson shumë dielli dhe deti. Ndoshta është më shumë i mësuar dhe i lidhur me mjegullën”, u shpreh De Laurentiis duke theksuar qartë edhe diferencën mes qyteteve, Napoli, Milano dhe Torino.

Në këtë sezon mes Serie A dhe Champions League, Zielinski është aktivizuar në 21 ndeshje duke shënuar tre gola si dhe duke asistuar në tre raste.