Baton Zabërgja po kalon në një tjetër sezon fantastik në Shqipëri.
Sulmuesi kosovar ka realizuar 5 gola dhe ka bërë 3 asistime në 12 paraqitje për skuadrën e Dinamos, skuadër kjo që udhëheqet nga trajneri Ilir Daja.
Pritshmëritë e skuadrës janë të mëdha, andaj edhe angazhimi i futbollistëve nuk mungon në asnjë moment, duke synuar që fundi i sezonit të jetë pikërisht në krye të tabelës.
Zabërgja realizoi dy gola në fitoren e thellë ndaj Elbasanit ditën e djeshme dhe kishte një dedikim të veçantë, golat ishin për mbesën e tij, e cila festonte ditëlindjen e 5-të.
“Së pari, për ndeshjen e djeshme, ishte dita ime, mbesa Enea Bujupaj festonte 5 vjetorin e lindjes dhe i premtova se do të shënoja gol për të dhe më vjen mirë që ndodhi”, tha fillimisht ai për ‘GazetaBlic Sport’.
Tutje, ai tha se përgjegjësia e të përfaqësuarit këtë skuadër është e madhe, sepse është 18 herë kampione e Shqipërisë. Natyrisht, shfaqet shumë i lumtur me fillimin pozitiv, sidomos pas ardhjes së trajnerit Daja.
“Si mund të ndihet një futbollist kur performon mirë, si individualisht ashtu edhe në grup, padyshim jashtëzakonisht mirë. Për këto 12 xhiro shënova 5 herë dhe asistova në 3 raste. Dinamo është një klub i madh, këtu duhet të dimë të gjithë se kemi përgjegjësi të mëdha sepse përfaqësojmë klubin që është bërë 18 herë kampion. Gëzohem që kam filluar mbarë, ndryshimi i kampionatit natyrisht se kërkon kohë për t’u adaptuar, por këtë sezon besoj se do t’i kompensojë edhe mangësitë e sezonit të kaluar. Ardhja e profesor Dajës është ‘qërshija mbi tortë’, padyshim që efekti i ardhjes së tij ka reflektuar jo vetem tek unë, por tek të gjithë skuadra, kemi 10 ndeshje pa humbje“, vazhdoi Zabërgja.
Krjt në fund, ai tha se nuk guxojnë të mendojnë për një pozitë tjetër larg katër të parave dhe se duan ta kthejnë emrin e Dinamos atje ku e meriton, në krye të kampionatit.
“Sa i përket renditjes, as që guxojmë të mendojmë se nuk do të jemi në 4-shen e parë me formën që jemi qasur, uroj të vazhdojmë kështu deri në fund edhe pse është një rrugëtim i gjatë plot sfida, por besoj tek drejtuesit, trajneri dhe grupi, për t’i kthyer emrin e Dinamos atje ku e meriton dhe ku duan tifozët e qyteti”, përfundoi Zabërgja.
/GazetaBlic Sport/