Sporti

UEFA fillon hetime, pritet dënim i rëndë për Rumaninë

09/14/2023 14:30
nga:Mergim Rreci

Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka nisur hetimet ndaj Rumanisë lidhur me pankartën dhe thirrjet “Kosova është Serbi”.

Ndeshja mes Rumanisë e Kosovës e vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Evropian është ndërprerë për 50 minuta si pasojë e sjelljeve anti-sportive të huliganëve rumunë.

Dy ditë pas takimit, Komisioni Disiplinor i forumit në Nyon nisi hetimet për rastin e Kosovës. Sipas burimeve të “GSP” pranë UEFA-s, në hetim do të analizohen gjashtë akuza:

Mesazhe provokuese me karakter fyes (pankarta të paligjshme, jo vetëm “Kosova është Serbi”, por edhe “Bessarabia është Rumani”). Mesazhe provokuese të karakterit fyes (thirrje të paligjshme). Sjellje raciste, ndezja e pishtarëve, hedhja e objekteve në fushë dhe bllokimi i zonave të aksesit publik, janë gjashtë akuzat me të cilat pritet të dënohet Rumania.

Tre të parat janë më të rënda për Rumaninë, nëse shpallen fajtorë, rrezikojnë të luajnë në shtëpi me dyer të mbyllura, pa spektatorë, kundër Andorrës më 15 tetor, madje edhe kundër Zvicrës më 21 nëntor.

Dënime maksimale edhe në shifra financiare do të ketë, atje ku pritet që së paku Federata e Futbollit të Rumanisë të dënohet me 70 mijë euro, kurse nuk përjashtohet edhe heqje e mundshme e pikëve nga tabela.