Njëra nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit zhvillohet sonte në Premier League.
Arsenali dhe Manchester City do të përballen në “Emirates Stadium”, sfidë kjo që luhet me fillim nga ora 20:30, shkruan GazetaBlic Sport.
“Topçinjtë” janë momentalisht në vendin e parë në tabelë, me 3 pikë më shumë se “Qytetarët”, por gjithashtu me një ndeshje më pak.
Interesim të madh për këtë takim natyrisht ka edhe në Kosovë, me Arsenalin që njihet tradicionalisht si një klub shumë i dashur në vendin tonë.
Madje, ka një grup të formuar të tifozëve të kësaj skuadre që quhet “Arsenal Kosovo Supporters Club“, e që tashmë njihet edhe zyrtarisht nga gjiganti anglez, duke vendosur edhe flamurin e Kosovës në mesin e shumë shteteve tjera nga e gjithë bota.

Udhëheqësi i këtij grupi, Arben Berisha, në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ tha se ndeshja ndaj Manchester Cityt është e rëndësisë së veçantë.
“Çdo ndeshje e Arsenalit ka rëndësinë e njëjtë, por ndeshja ndaj Manchester Cityt, rivalit kryesor për titull, është e rëndësisë së veçantë. Një fitore e Arsenalit, do të thotë që rivalit kryesor për titull ia humb 3 pikë të radhës në renditjen tabelare“, tha fillimisht ai
Më pas, Berisha dha një koment edhe për formën fantastike të Granit Xhakës, ku tha se ai është ‘motori’ i skuadrës.
“Granit Xhaka ëshë momentalisht ‘motori’ i skuadrës, në këtë edicion ai ka treguar frytet e tij si lojtar. Nën menaxhimin e Mikel Artetas, me Granitin ekipi po është shumë më kërkues tek porta kundërshtare”, vazhdoi ai.

Krejt në fund, Berisha premtoi se në rast se Arsenali do të shpallet kampion, do të ketë një festë të madhe të organizuar edhe në Kosovë.
“Patjetër që do të ketë festë të organizuar nga tifo-grupi ynë në Kosovë, sepse ky vit do të ishte i veçantë, si në aspektin e titullit, gjithashtu vendosjes së flamurit të Kosovës atje, shtetit më të ri në botë“, përfundoi Berisha për ‘GazetaBlic Sport’.


