Rumani-Kosovë, do të jetë 90-minutëshi më i rëndësishëm i këtyre kualifikimeve për Euro 2024 për “Dardanët”, pasi asnjë rezultat tjetër përveç fitores, nuk do t’i kryente punë djelmoshave tanë.
Barazimi me Zvicrën në sekondat e fundit me golin që e shënoi Vedat Muriqi në stadiumin “Fadil Vokrri”, mund të jetë si një katapultë për Kosovën që të ndryshojë historinë e grupit tonë, edhe pse ende në këto kualifikime “Dardanët” nuk e kanë shijuar fitoren e parë.
Tre pikëshi eventual ndaj Rumanisë, do të ishte vital për të shpresuar në mrekullinë dhe pozitën e dytë në grup, edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë, sepse e njëjta do të vlente edhe për kundërshtarët tanë të cilët do të bënin një hap gjigant drejt kualifikimit në Evropian.
Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’, atje ku tha se Kosova nuk duhet të kërkojë asgjë më pak se sa fitoren në këtë përballje.
Sejdiu tha se Kosova është një moment të mirë pas ndeshjes së fundit dhe se barazimi me Zvicrën mund të jetë një moment i mirë i kthesës.
“Sa i përket ndeshjes kundër Rumanisë, ne hyjmë në një moment të favorshëm për ne, duke marrë parasysh barazimin ndaj Zvicrës, i cili erdhi në një moment kur mendon se kombëtarja ishte në një moment depresiv dhe ky barazim mund të jetë një kthesë pozitive në kuptimin e rikthimit të besimit dhe motivit të duhur, që na duhet shumë në këtë përballje. Do të jetë një takim vendimtar për të dy kombëtaret, i vështirë, por ne duhet të tentojmë vetëm për fitore. Ky objektiv ndoshta duket pak më ambicioz se sa është realiteti, por vetëm kështu mund të shpresojmë. Në takimin me Zvicrën kam parë disa risi, si në fillim të takimit, por edhe ndryshimet në pjesën e dytë, të cilat dhanë sinjale pozitive dhe shpresoj shumë për këtë takim“, tha Sejdiu.
/GazetaBlic Sport/


