Sporti

Rraklli: Shqipëria ka kualitet, duhet të ketë guxim

09/22/2026 22:41
nga:Mergim Rreci

Ish-sulmuesi i Kombëtares, Altin Rraklli, foli në Klan News, për ndeshjet e Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Ai theksoi se kuqezinjtë kanë kualitete, por theksoi se çështja është sesi e marrin në ekip këtë kualitet të futbollistëve.

Sipas Rrakllit, duhet guxuar dhe t’iu jepet mundësia lojtarëve që nuk iu është dhënë në të kaluarën.

“Që ne kemi kualitet, këtë nuk besoj se e them vetëm unë, por e themi të gjithë. Ne kemi kualitete, por çështja është se si i thërrasim këtë kualitete, se si marrim më të mirën prej tyre, se si i vendosim nëpër pozicionet e duhura dhe si pastaj gërshetojmë lojtarët që janë në formën më të mirë.

Lojtarët që janë me moralin më të mirë, me formën e tyre, si dhe me aftësitë e kualitetet individuale, në momente të caktuara duhet t’i shfrytëzojmë më mirë se sa i kemi shfrytëzuar deri tani.

Problemi është se duhet t’i shfrytëzojmë në momente të caktuara lojtarët me kualitete të veçanta. Duhet t’u japim mundësinë që të luajnë, edhe duke hequr dorë nga ndonjë lojtar që ka kaq shumë kohë që është i padiskutueshëm në ekip. Kur vjen fundi pastaj, në momente të caktuara te ekipi ynë kombëtar, nuk kanë dhënë atë që pritej. Kështu që ne duhet të jemi të guximshëm ta përdorim këtë formë, t’u japim mundësinë edhe atyre lojtarëve që nuk u kemi dhënë mundësi deri dje”, tha ai.

Rraklli deklaroi se Nedim Bajrami dhe Armando Broja janë lojtarë më kualitete, por kohët e fundit nuk i kanë treguar dot. Ndër të tjera, ai theksoi se Brojën do e ftonte në Kombëtare pavarësisht minutave tek ekipi i tij.

“Bajrami dhe Broja janë lojtarë me kualitete shumë të mira. Por në periudhën që ata kanë kaluar viteve të fundit, nuk i ka dhënë mundësinë atyre të shprehin atë që kanë. Në momente të tilla, kur merr besimin e plotë të trajnerit të Kombëtares, kjo është një gjë e mirë. Domethënë se ai beson shumë te ty si personalitet, si futbollist dhe si kualitet.

Por, nga ana tjetër, një lojtar që paraqitet jashtë mase mirë te klubi i vet, e ti i jep pothuajse fare pak shans që të tregojë veten në Kombëtare, kjo sigurisht nuk është shumë e drejtë. Kjo si për sa i përket direkt lojtarit, ashtu edhe për sa i përket ekipit në përgjithësi. Sepse ti ekipit i jep një status që duhet të jetë në formën më të mirë dhe duhet të luajë me skuadrat e veta. Sepse kjo është ajo që ti kërkon gjatë gjithë kohës.

Ndërkohë, kur ti nuk e mban këtë balancë dhe fut lojtarë që nuk kanë asnjë minutë me ekipet e veta, pavarësisht se janë lojtarë me kualitet e në formë të mirë fizike, kjo ka të bëjë direkt me atë që trajneri beson te një lojtar apo te një tjetër.

Deri tani me Silvinjon, sidomos kohët e fundit, nuk funksionoi shumë kjo pjesë. Ai na çoi vërtet me këta lojtarë deri në ‘play-off’, por pastaj kur erdhi puna aty ku duhej, sigurisht këto lojtarë nuk e morën përgjegjësinë e tyre. Nuk e treguan atë për të cilën u besua. Kështu që ndoshta ka ardhur koha të flasim pak më ndryshe, dhe ndoshta trajneri i ri këtë po bën.

Sidoqoftë, unë personalisht mendoj se, sidomos për një lojtar si Broja, në qoftë se është në formën e vet fizike më të mirë dhe nuk thërritet sepse nuk ka minuta te skuadra e tij, unë nuk do ta bëja. Edhe pse nuk ka minutat e veta në skuadër, unë do ta thërrisja gjithsesi”, deklaroi Rraklli.