Në vazhdën e pakënaqësive sa i përket kontratave kolektive, është edhe Komuna e Obiliqit.
Zëdhënësja e Komunës së Obiliqit, Festina Preniqi, për Gazeta Blic, ka thënë se kontratën kolektive e konsideron si mekanizëm thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe si të tillë qëndrojnë kundër shkëputjes së kësaj kontrate.
“Komuna e Obiliqit e konsideron kontratën kolektive si një mekanizëm thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe për garantimin e kushteve dinjitoze të punës në sektorin publik. Kryetari i Komunës së Obiliqit qëndron fuqishëm prapa punëtorëve dhe mbështet zbatimin e kontratës kolektive si një e drejtë legjitime dhe e domosdoshme. Megjithatë, si komunë, jemi kundër shkëputjes së kësaj kontrate dhe veçanërisht kundër bartjes së barrës financiare nga niveli qendror në atë lokal. Kjo qasje është e padrejtë dhe ka vendosur komunat, përfshirë Komunën e Obiliqit, përballë vështirësive serioze buxhetore, për shkak të një vendimi që nuk ka qenë në kompetencë të nivelit lokal”, ka thënë ajo për GazetaBlic.
Sipas të dhënave zyrtare nga komuna, zbatimi i kontratës kolektive në formën aktuale i ka kushtuar Obiliqit mbi 3 milionë e 200 mijë euro. Preniqi thotë se kjo shumë ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta në projektet zhvillimore.
“Zbatimi i kontratës kolektive, në formën aktuale, ka krijuar sfida të mëdha financiare për Komunën e Obiliqit. Deri tani, komuna është penalizuar me mbi 3 milionë e 200 mijë euro, një shumë që ka ndikuar drejtpërdrejt në:
1. Vonesën e procesit të digjitalizimit në shkolla, që është një prioritet për përmirësimin e cilësisë në arsim;
2. Mosrealizimin e projekteve kapitale të planifikuara për qytetarët, në fusha të ndryshme të zhvillimit komunal”, shprehet ajo.
Pavarësisht sfidave financiare, zëdhënësja thotë se komuna mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe në kërkimin e zgjidhjeve të qëndrueshme.
“Praktikisht, jemi duke i bartur pasojat e vendimeve të nivelit qendror, ndonëse Ministria përkatëse është nënshkruese e kontratës kolektive dhe ka pasur obligim të bëjë planifikim të drejtë buxhetor për mbulimin e kësaj kontrate. Pavarësisht sfidave, Komuna e Obiliqit mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe në kërkimin e zgjidhjeve të qëndrueshme, të cilat nuk e pengojnë zhvillimin komunal dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët tanë”, përfundon ajo. /Gazeta Blic/


