Sporti

Fitorja historike e Shqipërisë ndaj Greqisë, Curri: Kishte luftë dhe futboll, një nga ndeshjet më emocionuese

06/07/2024 23:40
nga:Mergim Rreci

Trajneri i mirënjohur dhe ish futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Debatik Curri ishte i ftuari i kësaj jave në emisionin ‘Blic Interview’ me Astrit Gashin.

Fitorja e Shqipërisë ndaj Greqisë në vitin 2004 konsiderohet të jetë një nga fitoret më të mëdha dhe historike. Greqia vinte në Tiranë si një kombëtare që kishte fituar trofeun e Kampionatit Evropian, por që Shqipëria e ‘gjunjëzoi’, duke e mposhtur me shifrat 2 me 1.

Si për çdo shqiptarë tjetër, edhe për Debatik Currin kjo ndeshje do të qëndrojë gjithmonë në mesin e kujtimeve më të bukura, i cili shkon edhe përtej kësaj, duke thënë se vetëm ndeshja ndaj Serbisë i dha më shumë emocione se ajo e 4 shtatori, 2004.

Unë mendoj që ajo ndeshje, por edhe disa ndeshje tjera, nuk janë veç futboll, ka qenë edhe politika e përfshirë – normalisht ato armiqësitë mes dy shteteve që kanë qenë, por prap se prap, Greqia vinte pas fitimit të Kampionatit Evropian në atë kohë dhe me i mposht në “Qemal Stafa” me rezultatin 2-1, me një super atmosferë, mendoj që ka qenë një nga ndeshjet më të mira dhe me më së shumti emocione gjatë kohës sa kam qenë edhe unë pjesë e kombëtares së Shqipërisë“, tha fillimisht ai.

Sipas Currit, kishte edhe luftë edhe futboll, gjithmonë duke u bazuar se edhe marrëdheniet mes dy popujve nuk ishin në pikën më të mirë.

E paharrueshme për Currin është festa e madhe tek sheshi ‘Skënderbej’ pas ndeshjes, ku tha se kishte njerëz nën ndikim të jashtëzakonshëm të emocioneve.

Unë mendoj që kishte edhe luftë edhe futboll, luftë futbollistike, pa pas pak luftë futbollistike nuk mund ta arrish një fitore. Ka qenë dëshira më e madhe me mposht një kundërshtar si komb, si shtet, si politikë, si futboll, gjitha kanë qenë të përfshira, andaj mendoj se kemi kryer detyrën tone si shqiptarë, që me hi dhe me luftu për shtetin tonë, Shqipërinë. Pastaj fitorja dhe pritja e tifozëve, komplet sheshi “Skënderbej” ka qenë i stërmbushur, kam prit me kohë të gjatë me dal nga stadiumi, ka pas shumë, shumë njerëz, ato emocione. Veç një ndeshje tjetër gjatë krejt karrierës mund të them se ka pas emocione më shumë, ndeshja ndaj Serbisë“, përfundoi ish futbollisti shqiptar.

/GazetaBlic/