Sporti

Finalja e ‘çmendur’ e Stambollit, Arben Berisha kujton emocionet e komentimit: Pas pjesës së parë, isha i bindur që Milani do ta fitonte trofeun

05/25/2023 17:14
nga:Mergim Rreci

Si sot, 18 vite më parë, u zhvillua finalja më spektakolare dhe historike në Ligën e Kampionëve.

Milani dhe Liverpool kishin zbritur në Stamboll për trofeun më të madh evropian, por pa e ditur se do të jenë pjesë e përheshme e historisë të futbollit, duke prodhuar një ndeshje për infarkt.

Italianët kryesonin pas pjesës së parë me rezultatin 3-0, por në të dytën ndodhi “mrekullia”, Liverpool barazoi gjithçka duke e dërguar ndeshjen në shtesë dhe më pas në penallti ku dhe fituan gjithçka.

Komentatori i njohur kosovar i Radio Televizionit të Kosovës, Arben Berisha ishte atë ndeshje në komentim dhe në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ zbulon emocionet dhe gjithçka tjetër që përjetoi atë mbrëmje.

Ishte finalja ime e parë e madhe. Isha ende i ri në moshë për peshën e një finaleje evropiane si ajo. Dhe fati deshi që finalja ime e parë të ishte pikërisht e atillë, historike. Normalisht që kisha rezervat e mia, frikën, hezitimin, por të gjitha këto ishin shkaku i përgjegjësisë së madhe që kisha në atë moshë. Ndoshta nuk isha shumë i vetëdijshëm se çfarë privilegji është të komentosh një finale evropiane, por gjithsesi isha i përgjegjshëm“.

Dhe ndeshja pastaj ishte një histori më vete. Të gjithë do të donin të debutonin me një finale të tillë. Dhe unë pata atë fat. Kam komentuar edhe shumë finale dhe ndeshje të tjera, por ajo mbetet e veçantë. Është një nga finalet më dramatike në historinë e futbollit“, tha fillimisht Berisha.

Më pas, ai komenton rrjedhën e ndeshjes që kishte, duke kujtuar se pas pjesës së parë kishte thënë që Milani tashmë e ka fituar trofeun dhe vetëm ajo vetës mund t’ia humbasë atë.

Nga e gjithë ndeshja e di dhe mbaj mend që pas pjesës së parë kam thënë: Milani tashmë e ka fituar titullin dhe askush tjetër përveç vetja nuk mund t’ia humbasë atë. Dhe praktikisht kështu doli. Pjesa e dytë pati një kthesë të jashtëzakonshme. Kaloi shumë shpejt sepse ndodhën shumë gjëra.Madje shumë tifozë të Liverpool-it ishin larguar nga stadiumi pas pjesës së parë dhe nuk e kishin përjetuar se çfarë ngjau më pas. Ishte çmenduri. Diçka e paparë. Kthesat e tilla ndodhin shumë rrallë, veçanërisht në një finale. Dhe ndodhi aty”, vazhdoi Berisha me komentin e tij.

Në fund, ai tha se nga emocionet e mëdha që kishte, nuk e kuptonte peshën e madhe që do të merrte ajo ndeshje, por sot është shumë i lumtur që kishte mundësi ta komentonte atë.

Nga emocionet që kisha, mbase nuk isha në dijeni të peshës që do të merrte ajo ndeshje në histori, por me kalimin e kohës pesha e saj rritet gjithnjë e më shumë, edhe më të normalisht edhe kënaqësia dhe privilegji që unë kisha mundësi ta komentoja atë”, përfundoi Berisha.

/GazetaBlic Sport/