Euro2024

Ekskluzive: Ish mbrojtësi i Kombëtares së Italisë, Andrea Dossena: Shqipëria shumë e fortë, por ne duhet të fitojmë këtë ndeshje

06/15/2024 10:51
nga:Mergim Rreci

Emocionet sa vijnë e shtohen, Shqipëria është gati për të nisur një tjetër mision historik në Kampionatin Evropian.

Kuqezinjtë po kryejnë përgatitjet e fundit para ndeshjes së parë në ‘Euro 2024’, atje ku synojnë rezultat sa më pozitiv ndaj Italisë së Luciano Spallettit.

Me krenarinë mbi supet e tyre dhe me mbështetjen e shqiptarëve gjithandej botës, djelmoshat kuq e zi synojnë të lartësojnë sa më shumë emrin e lavdishëm që e përfaqësojnë.

Se Shqipëria nuk është thjesht një skuadër për ta plotësuar grupin e kanë kuptuar të gjithë, pavarësisht se do të përballet me gjigantët e Evropës, duke përfshirë Spanjën e Kroacinë.

Ish mbrojtësi i Kombëtares së Italisë, Andrea Dossena i cli ka djersitur për vite me radhë fanellën e ‘Azzurëve’, është deklaruar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ para ndeshjes me Shqipërinë.

Doessena tha fillimisht se pika më e fortë e Italisë do të jetë trajneri Luciano Spalletti, i cili di të bëjë gjëra të mëdha dhe ta dërgojë këtë kombëtare në nivel të lartë.

Ish mbrojtësi i Liverpool dhe Napolit, tha se Shqipëria është një kombëtare shumë e fortë dhe me paraqitje vërtetë të mirë, por që Italia duhet ta fitojë ndeshjen e parë dhe ta fillojë mbarë ‘Euro 2024’.

Garancia për Italinë është trajneri Spalletti. Ai do të jetë në gjendje ta çojë këtë ekip të ri, por shumë të fortë në një nivel më të lartë. Natyrisht të shkohet deri në fund është shumë e vështirë sepse në këto turne duhet të kapërcesh edhe lodhjen,  fatin dhe lëndimet, të gjitha gjërat që mund të pengojnë kalimin fazë pas faze.  Të niset mirë ky rrugëtim është një gjë themelore. Shqipëria është  një kombëtare shumë e fortë më të vërtetë, por nëse Italia dëshiron të bëjë një përparim të mirë, nuk mund të lërë pikë gjatë rrugës”, tha fillimisht Dossena.

Krejt në fund ai tha, se sipas tij, Franca është favorite absolute për ta fituar këtë kampionat dhe vetëm ata mund t’ia humbin vetes garën për këtë trofe.

“Favorite sipas meje mbetet Franca, vetëm ata mund t’ia humbin vetes këtë Evropian! Italia mendoj se do ta përfundojë Kampionatin Evropian në top 4she”, përfundoi Dossena.

/GazetaBlic Sport/