Sporti

UEFA kërkon ndryshime drastike në përdorimin e VAR

08/12/2026 16:21
nga:Mergim Rreci

UEFA po përgatit një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si përdoret VAR në futboll, me synimin për t’u rikthyer te një rol më i madh i gjyqtarit në fushë.

Roberto Rosetti, drejtuesi i arbitrimit në UEFA, ka paralajmëruar se përdorimi i VAR ka shkuar shumë larg në analizimin e situatave minimale dhe se ndërhyrjet duhet të kufizohen vetëm në rastet e gabimeve të qarta dhe të dukshme.

“Është futboll, jo PlayStation. Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm. Gjyqtari duhet të kontrollojë ndeshjen”, deklaroi Rosetti.

Sipas tij, në disa raste rishikimet në monitorin anësor kanë kaluar përtej asaj që duhet të jetë objektivi i teknologjisë në futboll.

“Vumë re se disa rishikime video në fushë nuk kishin të bënin fare me futbollin.”

UEFA synon kështu të bëjë “një hap pas” me VAR-in, duke rikthyer gjyqtarin në qendër të lojës dhe duke shmangur ndërhyrjet për detaje të vogla që mund të ndryshojnë rrjedhën e një ndeshjeje.

Qëllimi nuk është eliminimi i VAR-it, por rikthimi i teknologjisë në funksionin për të cilin u krijua: korrigjimin e gabimeve të mëdha dhe të qarta, pa e kthyer çdo vendim të diskutueshëm në një analizë të gjatë me pamje të përsëritura.

Nëse kjo qasje zbatohet, futbolli mund të shohë një rikthim të kompetencave më të mëdha për gjyqtarët dhe një përdorim më të kufizuar të VAR-it gjatë ndeshjeve.

/GazetaBlic Sport/