Sporti

E bujshme: Milani i ofron kontratë Thiago Silvas, mbrojtësi brazilian feston në shtator ditëlindjen e 42-të

05/21/2026 17:41
nga:Mergim Rreci

Thiago Silva është një futbollist i lirë pas largimit nga FC Porto, por raportohet se Milani i ka ofruar atij një kontratë njëvjeçare përpara ditëlindjes së tij të 42 -të.

Mbrojtësi, i cili u shit te Paris Saint-Germain për rreth 42 milionë euro në vitin 2012, konsiderohet ende një nga qendërmbrojtësit më të mirë që kanë veshur fanellën kuqezi.

Së fundmi, mediat italiane kanë raportuar se emri i Thiago Silvës është rikthyer sërish në tavolinën e drejtuesve të Milanit. Sipas raportimeve, agjenti i brazilianit kishte kontaktuar klubin për të diskutuar mundësinë e një rikthimi në Itali, madje edhe me parametra financiarë më të ulët sesa kontratat e tij të mëparshme..

Thiago Silva kishte deklaruar edhe më parë se largimi nga Milani nuk ishte zgjedhja e tij personale. Braziliani kishte theksuar se dëshironte të qëndronte në Milano, por transferimi drejt PSG-së u diktua nga rrethanat ekonomike dhe projekti ambicioz i klubit francez.

Në periudhën e tij me Milanin, Silva zhvilloi mbi 100 ndeshje dhe ishte një nga shtyllat kryesore të skuadrës që fitoi titullin kampion në Serie A sezonin 2010/11.

/GazetaBlic Sport/