Kur përmendet emri i Manuel Neuer në Federatën Gjermane të Futbollit, atmosfera bëhet e çuditshme dhe e paqartë.
Sipas mediave gjermane, tema e rikthimit të tij në kombëtare vazhdon të jetë prezente, edhe pse askush nuk dëshiron të flasë hapur për të. Trajneri Julian Nagelsmann ka shmangur prej muajsh deklaratat e qarta lidhur me portierin legjendar, transmeton GazetaBlic Sport.
Edhe pse Neuer ishte tërhequr nga kombëtarja, mediat gjermane raportojnë se ekziston mundësia reale që ai të përfshihet në listën paraprake të Gjermanisë për Kupën e Botës 2026. Thuhet se emri i tij mund të jetë në listën prej 55 lojtarësh që Nagelsmann ia ka dorëzuar FIFA-s.
Një zhvillim i tillë do të ishte surprizues, pasi prej kohësh ishte krijuar bindja se portieri 40-vjeçar kishte mbyllur përfundimisht karrierën me kombëtaren. Megjithatë, fakti që dera nuk është mbyllur plotësisht ka ngritur shumë pikëpyetje në Gjermani.
Situata më e vështirë është krijuar për Oliver Baumann. Pas largimit të Neuerit dhe problemeve fizike të Marc-André ter Stegen, Baumann ishte konsideruar portieri i parë i Gjermanisë. Megjithatë, diskutimet e vazhdueshme për rikthimin e Neuerit kanë krijuar pasiguri dhe presion të madh mbi të.
Nga ana tjetër, vetë Neuer ka insistuar vazhdimisht se kapitulli i tij me kombëtaren ka përfunduar. Ai deklaroi së fundmi se është plotësisht i fokusuar te FC Bayern Munich dhe nuk dëshiron të flasë më për rikthimin.
Neuer konsiderohet një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit. Ai ishte kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014 dhe ka zhvilluar 124 ndeshje me kombëtaren.
/GazetaBlic Sport/


