Sporti

Morina: Jemi të vendosur ta barazojmë nesër serinë ndaj Pejës, duam të jemi finalistët e parë

04/14/2023 22:37
nga:Mergim Rreci

Golden Eagle Ylli dhe Peja e zhvillojnë nesër ndeshjen e dytë në kuadër të gjysmëfinales së Superligës të basketbollit kosovar.

Peja e fitoi ndeshjen e parë që u zhvillua të mërkurën në “Karagaç”, me takimin që përfundoi me rezultat 85-82, shkruan GazetaBlic Sport.

Ndeshja e nesërme do të zhvillohet me fillim nga ora 20:30, në Palestrën “13 Qershori” në Suharekë, atje ku përsëri pritet të kemi spektakël dhe rivalitet të madh deri në sekondin e fundit.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, njëri ndër basketbollistët më të dalluar tek Golden Eagle Ylli, Gëzim Morina tha se janë të vendosur për ta barazuar serinë në 1 me 1, pavarësisht mungesave që kanë.

Morina ishte më i miri tek suharekasit në përballjen e parë, duke realizuar 16 pikë dhe tetë kërcime.

“Në fazën ku jemi tani numërohen vetëm fitoret dhe fatkeqësisht humbëm ndeshjen e kaluar. Ne besojmë në cilësinë tonë pavarësisht mungesave dhe jemi të vendosur që nesër ta barazojmë serinë“, tha fillimisht Morina.

Më pas, ai u pyet se cilën skuadër do ta dëshironte në finale, Trepçën apo Sigal Prishtinën, gjithmonë nëse arrijnë ta përmbysin Pejën.

“I gjithë fokusi ynë në këtë moment është vetëm te Peja dhe ndeshjet që na presin deri në fund të kësaj serie, për ne e vetmja gjë e rëndësishme është që jemi finalistët e parë të këtij edicioni“, përfundoi Morina.

/GazetaBlic Sport/