Sporti

Rodri ëndërron Real Madridin, por transferimi mbetet larg

07/22/2026 10:04
nga:Mergim Rreci

Mesfushori spanjoll Rodri do të dëshironte të rikthehej në vendlindje dhe të vishte fanellën e Real Madridit, por një transferim i tillë nuk është aktualisht në planet e klubit madrilen.

Sipas raportimeve, drejtuesit e Real Madridit e vlerësojnë cilësinë dhe përvojën e fituesit të “Topit të Artë”, por nuk e konsiderojnë këtë një lëvizje të arsyeshme në këtë moment, transmeton GazetaBlic Sport.

Qëndrimi i klubit është se shuma prej 70 milionë eurosh, që kërkohet për kartonin e tij, është shumë e lartë duke marrë parasysh moshën e lojtarit, kohën e mbetur në kontratën e tij dhe historinë e lëndimeve.

Një tjetër faktor që shqetëson drejtuesit madrilenë është fakti se Rodri i është nënshtruar një operacioni të rëndësishëm në gju, çka ngre pikëpyetje për gjendjen e tij fizike në afatgjatë.

Nga ana tjetër, Manchester City nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Klubi anglez i ka ofruar mesfushorit një kontratë të re, e cila do ta mbante atë në “Etihad Stadium” deri në fund të muajit qershor të vitit të ardhshëm.

Për momentin, rikthimi i Rodrit në Spanjë mbetet më shumë një dëshirë e lojtarit sesa një mundësi konkrete, ndërsa Real Madridi vazhdon të analizojë alternativa të tjera për përforcimin e mesfushës.

/GazetaBlic Sport/