Lajme

David Philips: S’ka dyshime, prapa sulmit në Ibër-Lepenc qëndron Serbia

12/04/2024 10:44
nga:G C

Eksperti amerikan, David Philips thotë se Serbia qëndron prapa sulmit në Ibër-Lepenc.

Madje, Philips për këtë është shumë i bindur.

Kështu të paktën u shpreh për GazetaBlic: “Sigurisht, që pas asaj se çka ndodhi në Ibër-Lepenc qëndron Serbia”.

Ndryshe, pak ditë më parë kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media e ka krahasuar sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit me sulmet ruse kundër Ukrainës.

Ai tha se përmes këtij sulmi synohej të dëmtohej infrastruktura kritike e vendit, që qytetarët të mbeteshin pa ujë, pa energji, ngrohje e telekomunikim.

“Pesha e pasojave të këtij sulmi, po të arrinte qëllimin e tij, do të ishte marramendëse. Ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pariparueshme në infrastrukturën e Kosovës. Ky do të shkaktonte për javë të tëra ndërprerje të prodhimit të energjisë nga Termocentrali Kosova B. Më tej, do të kishim ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujit, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë”, tha kryeministri.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të hënën se vendi i tij dënon në nivelin më të lartë sulmin “e tmerrshëm” që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, dhe që ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka ftuar korin diplomatik në Kosovë për t’i njoftuar për më të rejat lidhur me këtë sulm që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë.

Serbia, në anën tjetër, mohon të gjitha akuzat dhe ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.

“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”./GazetaBlic/