Sporti

Uruguai – Spanjë, ndeshja më e rrezikuar nga temperaturat ekstreme në Kupën e Botës

06/03/2026 16:29
nga:Mergim Rreci

Edhe pse Kupa e Botës 2026 është ende disa muaj larg, shqetësimet për kushtet klimatike kanë nisur të marrin vëmendje të madhe.

Një raport i publikuar nga Climate Central ka identifikuar ndeshjen mes Uruguait dhe Spanjës si sfidën me rrezikun më të lartë nga valët e të nxehtit gjatë turneut, transmeton GazetaBlic Sport.

Takimi, i programuar të zhvillohet në Guadalajara të Meksikës më 27 qershor, pritet të luhet në kushte të vështira atmosferike, me temperaturat që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në performancën e futbollistëve.

Sipas analizës së organizatës, ekziston një probabilitet prej 70 për qind që ndeshja të zhvillohet në kushte të nxehtësisë ekstreme. Studimi thekson se ndryshimet klimatike kanë rritur ndjeshëm mundësinë e këtyre temperaturave, duke shtuar me 37 pikë përqindjeje rrezikun krahasuar me kushtet normale klimatike.

Përballja mes Uruguait dhe Spanjës pritet të ketë rëndësi të veçantë edhe në aspektin sportiv, pasi bëhet fjalë për ndeshjen e tretë dhe të fundit të fazës së grupeve. Në të njëjtin grup ndodhen edhe Kepi i Gjelbër dhe Arabia Saudite, çka e bën garën për kualifikim edhe më të fortë.

Sipas të dhënave të raportit, plot 97 nga 104 ndeshjet e Kupës së Botës pritet të zhvillohen në kushte të konsideruara të pafavorshme për shkak të temperaturave, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi ndikimin që ndryshimet klimatike mund të kenë në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit botëror.

/GazetaBlic Sport/