Disa lojtarë të Manchester United kanë filluar të humbasin besimin në taktikat e Ruben Amorimit dhe besojnë se edhe kur skuadra fiton, kjo është kryesisht për shkak të cilësisë individuale të një lojtari, pohon gazetari i Daily Mail, Chris Wheeler.
Djajtë e Kuq pësuan një tjetër humbje në Premierligë në ndeshjen kundër Tottenham Hotspur. Humbja i la ata në vendin e 15-të në ligën angleze, transmeton GazetaBlic Sport.
Ndërsa Amorim mbetet i bindur se nuk do të bëjë kompromis me sistemin e futbollit që i ka fituar dy tituj të ligës portugeze, disa lojtarë thuhet se kanë filluar të humbasin besimin në qasjen e tij taktike.
Sipas Wheeler, një grup lojtarësh të United nuk janë të bindur nga metodat e 40-vjeçarit dhe janë gjithnjë e më të shqetësuar pas rezultateve të dobëta në ligë.
Manchester United përballet me një ndeshje të vështirë jashtë fushe kundër Evertonit në raundin e ardhshëm të Premier League.
/GazetaBlic Sport/


