Lajme

Daut Haradinaj: S’ka rrezik për sulm nga Serbia, i kemi aleatët – qeveritarët duan ta tërheqin vëmendjen nga dështimet

07/11/2024 14:25
nga:G B

Krerët e shtetit kanë paralajmëruar se mund të ketë sulme të reja nga Serbia, e cila po trajnon grupe terroriste.

Madje, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se sulmet mund të jenë më të mëdha se ai i sulmit të Banjskës.

Mirëpo, ai sot tha se këto deklarata të tij s’kanë pasur qëllimin e frikësimit të qytetarëve por që ndërkombëtarët ta ndëshkojnë Serbinë.

Lidhur me këto paralajmërime dhe rrezikun e sulmeve të mundshme nga Serbia, për Gazeta Blic ka folur anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, njëherësh ish deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ai thotë se nuk sheh ndonjë rrezik të ndonjë sulmi real, derisa thotë se Kosova i ka aleatët që e mbrojnë.

“Personalisht nuk shoh ndonjë rrezik real të ndonjë sulmi të gjerë nga Serbia. Kosova dhe aleatët tanë janë pothuajse në gatishmëri të plotë mbrojtëse”, thekson ai.

Haradinaj vlerëson se “qeveritarët tanë po mundohen të tërheqin vëmendjen nga dështimet e njëpasnjëshme në Kosovë”.

Ish deputeti shton se pavarësisht kësaj, duhet qenë vigjilent dhe të gatshëm për çdo situatë.

“Sidoqoftë, neve duhet të jemi vigjilent dhe të gatshëm për çfarëdo situate. Policia jonë në udhëheqjen e komandant Veton Elshanit po dëshmon gatishmëri dhe profesionalizëm të lartë që vlen për t’i përgëzuar”, deklaron Daut Haradinaj./Gazeta Blic/

 

Konjufca: Deklaratat për sulm eventual nga Serbia s’kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve