Daut Haradinaj, ka përkujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, në një nga ditët më të rëndësishme dhe më të dhimbshme të historisë së luftës për lirinë e Kosovës.
Haradinaj ka kujtuar përballjen e ashpër të Fehmi Lladrovcit, Xhevës dhe bashkëluftëtarëve të tyre me forcat jugosllave, duke përmendur edhe Fatime Hetemin, Shefqet Zekën, Behxhet Karaxhën, Milazim Karaxhën dhe Hamit Lladrovcin.
“Legjenda e luftës, Fehmi Lladrovci, bashkë me Xhevën dhe bashkëluftëtarët e tyre, po luftonin fytafyt me ushtrinë jugosllave”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka vlerësuar kontributin e familjes Lladrovci në përpjekjet për liri, duke theksuar se Fehmiu dhe Xheva ishin prej vitesh në ballë të rezistencës, nga vitet ’80 e deri te lufta e armatosur.
Haradinaj ka rikujtuar edhe majin e vitit 1997, kur Fehmiu dhe Xheva, së bashku me bashkëluftëtarë të tjerë, ishin përkrah Luan Haradinajt dhe Ilaz Kodrës, në një prej përballjeve të para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave jugosllave, ku ra dëshmor Luan Haradinaj.
“Rrugëtimi i kësaj ikone vazhdoi bashkë me të gjitha ato figura të 6 majit 1997, deri në frymën e fundit, për t’i lënë Kosovës lavdinë dhe lirinë e saj”, ka shkruar Haradinaj.
Në përmbyllje të postimit, ai ka sjellë edhe një nga thëniet e njohura të Fehmi Lladrovcit:
“Me dëshirë e jap jetën për atdhe.”
Haradinaj e ka përmbyllur mesazhin me nderim për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, dëshmorët e asaj ngjarjeje dhe të gjithë ata që ranë për lirinë e Kosovës.
“Lavdi Fehmi dhe Xhevë Lladrovci! Lavdi dëshmorëve të kësaj ngjarjeje historike! Lavdi të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar ai.


