Lajme

Daut Haradinaj e konsideron si “shou” prezencën policore e ushtarake në veri të vendit

09/24/2021 23:55
nga:Gazeta Blic

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK’së, Daut Haradinaj, njëherësh edhe ish-komandant i UÇK’së, ka folur lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Haradinaj, në emisionin ‘dPt te Fidani’ e ka parë më shumë si spektakël politik paraqitjen e forcave policore nga pala kosovare dhe ajo serbe në kufinjtë territorial.

“Njëjtë si t’tanat, sikurse na po bëjmë xhiro e ekskursion me forcat policore, kurrgjë më shumë as ata as na nuk po bëjmë. Dy palët po mundohemi me i nxjerrë vetën më të fuqishme. Kur ka një operacion, është konfidencial. Mendoj që të dytë, edhe pala jonë edhe pala kundërshtare po merret me shou”, deklaroi Haradinaj në ‘DPT’.

Tutje, ai ka folur edhe lidhur me armatimin që Serbia ka siguruar nga Rusia përgjatë këtyre viteve.

“Në rast se i shihni pajisjet të marra në Rusi, kryesisht janë të daluna nga përdorimi. Institucionet e Kosovës duhet me bisedu me serbë në veri, t’iu tregojë që është në zbatim të një marrëveshjeje që e ka pranu Serbia. Nuk shoh diçka krizë, duhet me ditë që ne kemi aleatë”, ka shtuar tutje anëtari i AAK’së.