Showtime

”Dashni dhe pabesi” përfundon rrugëtimin, vëllëzërit Loshi mes lotësh tregojnë si u ‘tradhtuan’ nga producenti

08/04/2024 18:51
nga:N K

Në një zhvillim të papritur dhe zhgënjyes për adhuruesit e serialit të njohur “Dashni e Pabesi”, vëllezërit Loshi kanë ndarë lajmin se seriali ka përfunduar papritmas.

Në emisionin SOL, aktori Imer Loshi duke rrëfyer ekskluzisht ka shprehur kritika të ashpra ndaj producentit për këtë vendim të njëanshëm.

“Meqë erdhëm këtu, do doja ta ndaj një lajm jo të mirë, sepse seriali ”Dashni dhe Pabesi” ka përfunduar me episodin e 68-të. Vendimin e ka marrë producenti. Vendimin e ka marrë njëanshëm sepse nuk kemi qenë të njoftuar, unë të paktën si skenarist nuk kam qenë i njoftuar”, tha Loshi, duke potencuar se ai dhe ekipi i tij ishin të përgatitur për të vazhduar me të paktën dy episode të tjera këtë sezon, me plane për të rifilluar në shtator.

Loshi gjithashtu shprehu zhgënjimin e tij të thellë për përfundimin e papritur të serialit, duke theksuar se historia meritonte një përfundim më të mirë.

“Jam i zhgënjyer në këtë rast dhe jam i dëshpëruar bukur shumë sepse do të doja të paktën ta jap një përfundim më të mirë. E ka merituar ky serial një përfundim më të mirë”, u shpreh ai me keqardhje.

I pyetur nga nikoqirja Adelina Hasani nëse ka pasur ndonjë mosmarrëveshje paraprake me producentin, Loshi mohoi këtë dhe shtoi se ai kishte marrë mijëra mesazhe nga fansat që kërkonin të dinin nëse seriali do të vazhdonte në shtator.

“Unë personalisht jo. Edhe gjatë kësaj kohe kam marrë me mijëra e mijëra mesazhe të cilat… sepse pak a shumë publiku e nuhatë, dhe më kanë pyetur: A vazhdon në shtator? Nuk i jam përgjigjur askujt sepse desha ta ndajë me publikun në emisionin e juaj”, tha ai në SOL.

Kjo deklaratë ka nxitur shumë reagime në rrjetet sociale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse producenti do të japë një shpjegim më të hollësishëm për këtë vendim të papritur.