Euro2024

Darmian: Nuk mendoj për raundin e ardhshëm, ndaj Kroacisë vetëm për fitore

06/23/2024 08:02
nga:E K

Italia ka hyrë në “ethet” e fundit në prag të ndeshjes së fundit të grupit përballë Kroacisë.

Kampionët e Europës u mposhtën në ndeshjen e dytë ndaj Spanjës, teksa përballja e të hënës i vendos përballë ndaj Kroacisë që kërkon maksimumin për të vijuar aventurën në Europian, teksa skuadra Spalletti-t qëndron në vendin e dytë me tri pikë.

Përpara duelit me kroatët, në konferencë për shtyp nga grumbulli ka folur mbrojtësi Matteo Darmian që ka theksuar se ndaj Kroacisë do të kërkojnë vetëm fitoren, ndërsa humori është lëkundur disi pas humbjes me Spanjën.

“Ne do të përpiqemi të luajmë lojën tonë, të hedhim cilësitë tona më të mira në fushën e lojës. Kundërshtari i së hënës është shumë i fortë dhe ka përvojë, ata kanë lojtarë cilësorë dhe janë shumë të forte pavarësisht dy ndeshjeve të para. Do të duhet të jemi të kujdesshëm, por në të njëjtën kohë do të na duhet të bëjmë lojën tonë më të mirë me armët tona, jam i sigurt se mund t’i vëmë në vështirësi. Atmosfera brenda grupit? Është normale që pas një disfate ka gjithmonë pak zhgënjim, keqardhje. Ne donim të bënim më mirë, por ishim përballë një ekipi shumë të fortë që na vuri në vështirësi. Mund të mësojmë shumë nga disfatat, do të duhet të mos përsërisim të njëjtat gabime” – tha fillimisht mbrojtësi.

Më pas, Darmian foli edhe për gjendjen fizike të skuadrës, teksa tregoi se te Italia ende nuk mendojnë për raundin e ardhshëm.

“Gjendja fizike? Mund të them se jemi të gjithë mirë dhe po përgatitemi për ndeshjen me Kroacinë me dëshirën dhe vendosmërinë e duhur. Raundi 1/8-ve? Këto diskutime nuk po ndodhin ende në këtë grup, nuk është moment besoj. Unë kam dëgjuar nga të gjithë duke thënë se ne kemi dy rezultate nga tre në dispozicion për tu kualifikuar, por ne do të zbresim në fushë vetëm për fitore” – përfundoi Darmian.