Lajme

Darka me liderët e rajonit, Borrell: BE të tregojë përkushtimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor

05/18/2021 20:43
nga:Q R

Ministri i Jashtëm i BE-së Josep Borrell tha se ka organizuar një darkë për gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të rinovojë traditën e bisedimeve të rregullta “mbi rajonin me rajonin” dhe për të diskutuar hapur situatën dhe sfidat e Ballkanit Perëndimor.

“Qëllimi është të lidhemi me partnerët tanë në rajon, t’i dëgjojmë ata, të kuptojnë shqetësimet dhe idetë e tyre dhe të shohim se si të punojmë më mirë së bashku për një të ardhme të përbashkët,” tha Borrell.

Ai kujtoi se ministrat e Jashtëm të BE-së vlerësuan javën e kaluar se Ballkani Perëndimor ishte “një nga përparësitë më të larta të BE-së”.

“Ne jemi të gatshëm të forcojmë angazhimin tonë ndaj rajonit, i cili nuk është në diskutim, por duhet ta bëjmë atë më të dukshëm. Kjo darkë me gjashtë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor do ta bëjë atë të dukshme”, tha Borrell.

Ai kujtoi se krerët e diplomacisë së BE në takimin e Këshillit mbështetën një angazhim të gjerë politik me rajonin “i cili shkon përtej kornizës së zgjerimit” dhe shtoi se në mbrëmje do të marrë pjesë komisionari për Zgjerimin Oliver Várhelyi.

“Sonte, ne duhet të marrim në konsideratë tablonë e gjerë politike të rajonit, jo vetëm nga pozicioni i zgjerimit dhe anëtarësimit në BE, por gjithashtu nga qasja gjeopolitike ndaj të gjithë rajonit,” tha Borrell, transmeton KosovaPress.

Ai shprehu shpresë se bisedimet e mbrëmjes së sotme në Bruksel do të ndihmonin për të kuptuar më mirë dinamikën e rajonit dhe për të përcaktuar mënyrat për të bashkëpunuar më mirë në sfidat gjeopolitike të së tashmes.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para shkuarjes në Bruksel deklaroi se darka me liderët e rajonit, organizuar nga Borrell, nuk është dialog me Serbinë, por një darkë tradicionale që mbledh gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Kurti ka thënë se BE-ja ka kërkuar mjaft nga Kosova dhe se tash është koha që Kosova të kërkojë nga BE-ja anëtarësim.

 

Lajçak: I lumtur që takova Kurtin për të vazhduar diskutimet në lidhje me hapat e ardhshëm në dialog