Sporti

“Dardanët” synojnë rritjen, po kërkojnë përfaqësues nëpër gjithë Kosovën për shpërndarje të biletave

05/15/2024 21:42
nga:Lorik J

Tifogrupi kosovar, ‘Dardanët’ po synojnë të rriten në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Me anë të një njoftimi në rrjetin social, Facebook, ‘Dardanët’ kanë kërkuar përfaqësues në disa qytete të Kosovës, si shkak rritja e tyre dhe organizimi për ndeshje e bileta të takimeve të kombëtares, përcjell GazetaBlic Sport.

Më poshtë keni njoftimin e tifogrupit, Dardanët:

NJOFTIM

Me kënaqësi bëjmë të ditur vullnetin tonë për ta rritur përfaqësimin në qytetet e tjera të Kosovës, për të qenë sa më të pranishëm në çdo pëllëmbë të vendit me përfaqësues lokalë, që garantojnë shpërndarjen e biletave me rastin e ndeshjeve të kombëtares dhe organizimeve tjera.

Emrat e qyteteve ku dëshirojmë shtrirje të re janë: Peja, Gjakova, Podujeva, Lipjani, Istogu, Kamenica, Kaçaniku, Skenderaj, Theranda, Drenasi dhe Klina.

Ju bëjmë thirrje të kontaktoni liderin tonë, Lulzim Berishën apo kryesinë e tifogrupit, nëse mendoni që ndonjëri nga ju në këto qytete ka autoritetin, besimin dhe reputacionin e nevojshëm për të qenë përfaqësues lokal. Nëse shprehni interesim, ne jemi të gatshëm të ulemi dhe bisedojmë.

Ky është vetëm një paralajmërim paraprak në vazhdën e përgatitjeve për ndeshjet e shtatorit që kemi nisur t’i bëjmë. Edhe mërgata nuk do të jetë e përjashtuar. Se si jemi duke organizuar edhe në këtë segment do t’jua bëjmë të ditur pas pak kohësh. Ndërsa ndërkohë presim interesim nga ju, papërjashtim, që të jeni udhëheqësit e rinj modelë Dardanë në qytetet e renditura lart.

Kosova, kjo zgjedhje e nderi, jo zori!