Tifogrupi i Kombëtares së Kosovës, Dardanët, ka publikuar një mesazh para ndeshjes miqësore që Kosova do ta zhvillojë sot ndaj Çekisë në Pragë.
Përmes një deklarate, Dardanët theksuan se çdo paraqitje e Kombëtares mbetet një moment i veçantë për tifozët, pavarësisht nëse bëhet fjalë për ndeshje zyrtare apo miqësore.
“Çdoherë dita më e bukur është kur luan kombëtarja e shtetit tënd, pavarësisht karakterit apo epitetit të ndeshjes, sikur sot, në “Epet Arena” të Pragës kundër Çekisë, në ndeshjen e parë miqësore që e zhvillojmë në këtë grumbullim. Shpresojmë që momentumi pozitiv i djemve tanë të vazhdojë dhe një paraqitje e dinjitetshme sot të na japë vendosmëri, forcë dhe shtysë për sfidat e ngjeshura në vjeshtë që na presin në Ligën e Kombeve b”, thuhet në reagimin e tyre para sfidës që do të luhet në stadiumin “Epet Arena”.
Kosova dhe Çekia përballen sot në një ndeshje miqësore, me fillim nga ora 16:00.
/GazetaBlic Sport/


