Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka reaguar lidhur me problemet e mëdha teknike me të cilat po përballet faqja e KQZ-së.
Sejdiu ka thënë se është skandal i llojit të vetë, dhe se probleme të tilla hapin edhe dyshime për keqpërdorim të votave.
Postimi i plotë:
Skandal i llojit të vet!
KQZ për momentin ka problem me sistemin e rezultateve të zgjedhjeve, dhe kjo është e papranueshme. Të gjithë qytetarët kanë sytë kah rezultati sepse përmes këtyre zgjedhjeve përcaktohet edhe e ardhmja jonë. Gjatë gjithë ditës lavdëruam qytetarët për pjesëmarrjen e tyre, procesin zgjedhor dhe organizimin, por kjo që po ndodh në fund të ditës i jep një shije të hidhur gjithë procesit.
Një situatë e tillë jo vetëm që krijon konfuzion, por hap edhe diskutime të reja për mundësinë e keqinterpretimit të rezultateve dhe dyshime për keqpërdorime. Në një demokraci funksionale, transparenca dhe besueshmëria në procesin zgjedhor janë themelore – e sot, kjo është vënë në pikëpyetje.
Pavarësisht rezultatit, shpresoj që nga ky proces të dalin deputetë të zëshëm dhe një qeveri e re që nuk fshihet pas sharjeve, ofendimeve e polarizimeve, por që e identifikon problemet e përditshme të qytetarëve dhe punon që nga dita e parë. Në zgjedhjet e ardhshme, puna duhet të flasë vetë!