Lajme

Dardan Molliqaj: Vendimet e Qeverisë Kurti në veri, rezultate të gabuara dhe të këqija për Kosovën

06/29/2023 17:54
nga:Y I

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj  ka folur për vendimet e Qeverisë në pushtet karshi situatës në veri të vendit.

Molliqaj tha se Qeveria tash e gati dy vite vetëm gabime po bënë në veri.

Ai thotë se Kurtit edhe një tërheqje e fundit i ka mbetur në situatën e tanishme.

“Veprimet e Qeverisë më shumë se një vit e gjysmë në frontin e veriut kanë qenë krejtësisht të gabuara me rezultate gjithnjë të këqija për Kosovën dhe me marrëdhënie jo të mira të ndërtuar me bashkësinë ndërkombëtare. Secili intervenim i Qeverisë është kthyer mbrapa edhe ajo për karta të identitetit të cilat janë pranuar ato paralelët që shkruhen dhe lëshohen nga Serbia si qytetarë serb të Kosovës jo ato të shtetësisë së dyfishtë, tërheqja e vendimit për targa dhe tani do ta kemi edhe tërheqjen e fundit në sekuencën e zgjedhjen e kryetarëve të ri të zgjedhur në veri”, thotë Molliqaj.

Ai ka shtuar se komunikimi me ndërkombëtarët nuk ka marr fund, vetëm është dobësuar.

“Secili veprim e ka trashur nivelin e autonomisë që do ta kenë serbët në Kosovë dhe e kanë t ‘holluar marrëdhënien e Kosovës me ndërkombëtarët. Se gjithçka ka marr fund me ndërkombëtarët nuk është e vërtetë, por që është dobësuar ajo marrëdhënie është e dukshme”, tha Molliqaj për Front Online.