Gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, i akuzuari Dardan Krivaqa tha se në lidhje me rastin për të cilin po akuzohet, nuk është asgjë reale dhe se asnjëherë nuk kishte ndodhur rasti siç përshkruhet në aktakuzë.
Në këtë rast, i akuzuari Krivaqa po akuzohet për veprën penale të detyrimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Asnjëherë nuk ka ndodh ky rast, unë në vitin 2012 kam pas mosmarrëveshje me babain e të dëmtuarit Besnik Qorolli dhe Besniku ka shfrytëzuar rastin në mënyrë hakmarrje dhe ka montuar këtë rast”, tha i akuzuari Krivaqa
I njëjti shtoi se atë kohë kishte pasur probleme me babanë e të dëmtuarit Qorolli, pasi sipas tij prindi i të dëmtuarit kishte ngacmuar motrën e tij të mitur.
Shkaku kësaj situate, Krivaqa tha se me babanë e Besnikut ishte rrahur, ku kishin përfunduar në spital, e më pas kishin dhënë deklaratë në polici.
Ndërsa, theksoi se nuk ka lidhje me atë çka akuzohet sipas akuzës së prokurorit.
Në pyetjen e prokurores Ajtene Zoni nëse të njëjtit i kujtohet se a ka dhënë deklaratë në polici, për këtë rast, i akuzuari Krivaqa tha se nuk i kujtohet.
“Pas problemeve me prindin e Besnik Qorollit, kjo ka qenë arsyeja pse Besniku e ka paraqitur rastin dhe e gjithë kjo ka qenë e montuar, asgjë nuk ka ndodhur dhe nuk është reale për këtë vepër penale”, tha tutje Krivaqa.
Gjykimi ka vazhduar me fjalë përfundimtare, ku prokurorja Ajtene Zoni ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit sipas detyrës zyrtare, avokati Agim Demiri deklaroi se duke iu referuar deklaratës së të akuzuarit në këtë seancë dhe në polici ,shihet se i njëjti nuk e ka kryer këtë vepër penale.
Andaj, i njëjti gjykatës i ka propozuar që të akuzuarin Krivaqa ta lirojë nga kjo përgjegjësi penale.
Gjykatësja e kësaj çështje penale, Hakile Ilazi, e konsideroi të përfunduar këtë çështje penale, ndërsa njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 11 maj 2022.
Sipas aktakuzës, më 14 nëntor 2012, rreth orës 16:20, në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, me forcë dhe me kërcënim serioz e kishte detyruar të dëmtuarin Besnik Qorolli që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Aktakuza thotë se përmes kërcënimit se “kam me të mbyt ty, nënën dhe babain nëse nuk më jep para”, kishte shkaktuar shqetësim dhe ankth te i dëmtuari dhe i njejti ishte detyruar që të veprojë kundër pasurisë së tij dhe të pandehurit t’i japë këpucët, dy Play Station dhe gjëra tjera të ndryshme materiale.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Detyrimi” nga nen 267, paragrafi 1 të Kodit Penal.


