Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Dardan Krasniqi në emisionin Gazeta tha se situata politike në vend është e qartë dhe e dukshme, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për përqendrim të pushtetit dhe kontroll mbi institucionet e vendit.
Sipas Krasniqit, “ajo çka e ka ndërtuar këtë mozaik në lidhje me çështjen e presidentit është se Kurti ka edhe president”, duke aluduar se strategjia e kryeministrit ka qenë që të arrijë në këtë fazë me një ushtrues detyre në postin e presidentit.
Ai theksoi se kjo situatë, i mundëson Kurtit të realizojë planet e tij strategjike, duke përfshirë emërimet në institucione të rëndësishme si në Gjykatën Kushtetuese, emërimin e anëtarëve të saj dhe postin e Kryeprokurorit, gjithashtu dhe anëtarin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Kjo tregon se Kurti ka president dhe nuk i bëhet vonë për planet e tij. Ka pushtet absolut”, tha Krasniqi në Gazeta.
Në fund, ai paralajmëroi se zhvillimet aktuale politike mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke theksuar se situata është e tillë që “patjetër do të shkohet në zgjedhje”.


