Sporti

Daniel Lekndreaj, MVP i javës në Superligë

02/13/2023 15:24
nga:Lorik J

Në javën e 22-të të Prince Caffe Superligës u zhvilluan përballje interesante. Bashkimi shënoi fitore të rëndësishme ndaj Vëllaznimit në Gjakovë.

Basketbollisti më i dalluar ishte basketbollisti shqiptar Daniel Lekndreaj me dyshifror të dyfishtë 17 pikë e 15 kërcime, tre asistime, si dhe pesë topa të vjedhur.

Ai u ndihmua nga Fisnik Rugova me 11 pikë e 13 kërcime dhe dy asistime. Trepça ka vazhduar me fitore, ku kësaj radhe ka mundur Ponte Prizrenin. Edhe kësaj radhe te mitrovicasit u dallua Drilon Hajrizi me 14 pikë, shtatë kërcime dhe 6 asistime. Golden Eagle Ylli me fitoren ndaj Rahovecit ka dalë në vendin e parë në renditje, ndërsa te therandasit kapiteni Gëzim Morina ishte më i miri me 19 pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime.

Peja fitoi në klasiken kosovare ndaj Sigal Prishtinës, ku më i miri edhe në këtë sfidë ishte Arti Hajdari. Ai ndaj prishtinasve kishte 14 pikë, tre kërcime dhe tre asistime.