Lajme

“Danas”: Kurtit e Vuçiqit iu tha se pa normalizim të marrëdhënieve s’ka para nga BE-ja

11/09/2023 13:41
nga:G C

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u ka thënë lidershipit të Kosovës dhe Serbisë se Komisioni synon ta kushtëzojë ndihmën gjashtë miliardë euro për Ballkanin Perëndimor me përparimin në negociatat për normalizim të marrëdhënieve.

Kështu ka thënë për “Danas” një burim i lartë i KE-së, ku theksohet se kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq u është bërë e qartë se çfarë po përgatitet dhe çfarë pritet prej tyre.

“U shpjegua se çfarë lloj reforma priten, që të mos ndodhë më vonë e të na thoni nuk e kemi ditur këtë kusht. Prandaj, kërkojnë që të normalizohen marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, në bazë të marrëveshjeve të arritura. Nëse nuk ka përparim, nuk do të ketë parë”, ka thënë zyrtari i KE-së.

Sipas burimit, siç shkruan Danas, nëse përcaktohet se njëra palë po bllokon përparimin, e tjetra jo, atëherë ajo që nuk bllokon do të marrë para nga pakoja ndihmëse e BE-së në vlerë prej 6 miliardë euro.

Komisioni Evropian (KE) i ka qortuar Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në raportet e tij të progresit për të dyja vendet.

Raporti nënvizon detyrimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin ndërsa Serbisë, njohjen de facto.