Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se kanë dalë analizat e ujit në Kaçanik, ku ndihmë mjekësore kanë kërkuar 192 qytetarë të cilët kishin simptoma si temperaturë, ethe, barkqite, vjellje e mundim.
Pas marrjes së mostrave të ujit, ministria e Shëndetësisë thotë se analizat bakteriologjike kanë treguar se uji nuk i plotëson standardet për pije.
Pas rezultateve të dala nga mostrat, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dhënë gjashtë rekomandime se si të veprohet tutje.
“Rekomandimet e IKShKP janë si në vijim:
Raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, përkatësisht Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë (LNR: 02/L-109),Të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit, i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset e tjera që kanë ujë të sigurt,Të instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor,Të monitorohet cilësia e ujit, të vazhdohet me mostrim për analiza laboratorike-bakteriologjike dhe vlera e klorit (Cl) rezidual,Marrja e të gjitha masave prë njoftim dhe vetëdijesim të qytetarëve për situatën e krijuar,Si rekomandim kryesor ky sistem të sanohet dhe të futet nën menaxhimin e KRU “Bifurkacioni“”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të Kaçanikut që si masë preventive ta kenë vëlimin e ujit, i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit.


