Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi për Pink TV se teksa ishte ministër i Punëve të Jashtme, Beogradi organizoi tre herë negociata paqeje midis autoriteteve të Afganistanit dhe talebanëve.
Se këto takime u zhvilluan, u konfirmua për mediumin N1 nga një prej organizatorëve të negociatave, dhe ky medium postoi edhe fotografi ekskluzive nga ato negociata/
Tani që i gjithë Afganistani është në duart e talebanëve, ish-ministri serb ka vendosur të zbulojë atë që vlerësohet se pothuajse askush në Serbi nuk e dinte.
“Do ta them këtu dhe deri më sot nuk kam folur askund rreth kësaj, sepse ishim pajtuar që ta mbajmë sekret”, tha Daçiç. Dhe ai sekret ishte që përfaqësuesit e qeverisë tashmë të rënë afgane dhe talebanët negociuan në Beograd për herë të parë në vitin 2019.
Për N1, një nga organizatorët e negociatave të paqes, drejtori i organizatës East West Bridge, Jovan Kovaçiq, zbulon se ai gjithashtu siguroi fotografi ekskluzive nga këto takime përgatitore, transmeton Klan Kosova.
“Ne nuk morëm pjesë në bisedime vetë. Nuk ishte as dëshira jonë, as qëllimi ynë. Ishte një çështje mes tyre. Ne ishim thjesht nikoqirë të mirë për t’u siguruar atyre paqe, qetësi, të gjitha përfitimet e negociatave dhe se atyre nuk u mungon asgjë”, tha Kovaçiq.
Beogradi u zgjodh si një territor neutral, thotë Kovaçiç, duke shtuar se negociatat u udhëhoqën nga Karim Khalili, ish nënkryetari i Afganistanit dhe presidenti i atëhershëm i Këshillit të Lartë të Paqes. Përveç tij, ishin të pranishëm edhe shumë përfaqësues të talebanëve, të cilët duheshin hequr nga listat e zeza veçanërisht për atë rast, në mënyrë që të mund të udhëtonin.
“Për herë të parë, komandantët e rreth 20 provincave në Afganistan biseduan me Presidentin Ashraf Ghani përmes Skype. Ata i kërkuan Kabulit që t’i ndihmojë të ndërtojnë infrastrukturë, shkolla, spitale, energji elektrike, ujë dhe më shumë. Ghani tha se do të merrej me kërkesat e tyre dhe ajo bisedë zgjati gati dy orë”, shtoi Kovaçiq.
“Sidoqoftë, takimi i katërt nuk u zhvillua kurrë – situata në terren nuk ishte më relativisht e qetë, dhe negociatat filluan zyrtarisht në Katar, ku ndërmjetësit më të rëndësishëm ishin Shtetet e Bashkuara. Paqja nuk u arrit kurrë, por disa vjet më vonë, zyrtarët serbë mund të mburren se edhe ata u përpoqën të ndihmojnë”, shkruan mes tjerash mediumi serb rs.n1info.com.