Aktorit i është përmirësuar gjendja shëndetësore. COVID-19 i kishte shkaktuar disa probleme shëndetësore Çun Lajçit, andaj për disa javë u detyrua të qëndronte në spital.
Gjatë periudhës sa qëndroi në spital, aktori i mbajti ndjekësit të informuar për gjendjen e tij shëndetësore. Mëngjesin e sotëm, artisti njoftoi se është liruar nga spitali, për të vazhduar shërimin në shtëpi.
Me anë të disa vargjeve, ai rrëfeu për periudhën sa qëndroi në spital dhe përmendi edhe shokët e dhomës.
Postimi i plotë:
Ik nga dhoma B/1
Vazhdoje jetën artist, m’tha doktor Bahri Thaqi, mbasi u krye vizita e orës 7, n’mëngjesin e djeshëm!
Të mbetunën vazhdoje, aty n’shtratin e kujtimeve për t’bukurën, që s’ka t’sosun e që s’arrihet kurrë!
Ik nga dhoma B/1, se jeta ka rrugica e përrocka, acar e behar, e shtratiet e spitaleve po aqë sa zbrazën dhimbjesh, po aqë mbushën gjamë që kurrë s’pushojnë!
Ti ik i mbushun polem si bleta. Kthehu aty ku nji natë t’përvëloi zjarrmia, flama, ftofja, kolli, ai virusi me therra që kishte zbritë si kaçubet mushknive tua. Ne bamë gjithçka qe t’vdiste vetëm ai!
Si i bahet frymëmarrjës, që s’me len me hapërua e trupin me nxjerrë n’oborr, kët ma thuej doktor?
Bahet mirë nji ditë. Mos ket muej mujin tjetër shlirohesh, ti vetëm mendo mirë, m’tha dhe shkuen të nji nanë që kollitët tash e njizetë net!
E preka shtatin tim, si Gjergji plagët e veta, e ngadalë u afrova të dritarja, aty ku rrinte ajo pema që i shihej vetëm nji degë e poshtë saj natën lehte nji qen!
N’cep shtrati u bana cuc e sytë i çova të Nuha i Koliqit, haxhiu që pëshpëriste dovë.
Adem Sylaj i Nekovcit po fliste me t’birin. Shko Mursel pije nji kafe e tim bane duhanin, se Çuni po merr rrugë!
Hetohej që s’po i vinte mirë që po mbetej vetëm! Ishim mësua me folë për trimninë e Smajlit e luftat Mehmet Gradicës, ani se na mundonte kolli e mbetëshim pa frymë.
Pantallonat i zhvesha nji natë prilli e n’fund majin e atij mëngjesi po i veshja me temena, si parzmorën Gjergj Elez Alia!
Sytë i futa gjithkah dhomës se mjerueme, se gjithëçka po me mbetej kujtim e mall i nji lengate që erdhi dhe u fut n’mua, pa i thanë ai i madhi që na fali, e shpirtin deshti me ma marrë!
Haxhi Nuhës ia këputa dovët, se s’mujta pa ia dhanë dorën.
T’pafsha të djali mik, edhe n’Koliq të trojet e t’parëve, se dergj e spital boll na u ba!
Adem burri.
Kamën po e ngrehi zhag, e takimin po e lamë të Përroi i Thatë. Aty do ta pimë çain e do ti kujtojmë ditët e djersës n’shtratiet e thyeme. Mos u dorëzo se je nip Gradice e t’pret gruni me korrë, me Nolin e Murselin, i thash shkitas, e dola nga dhoma B/1 tue i ngre zhagas kambët!
U ktheva n’Dardani, n’platonë e Kurrizit, ku mu këputën hapat nji natë prilli mua e vajzës sime nji natë nadori me mjegull!
Tek ngjitësha shkallëve pa frymë, m’u kujtua prap doktor Bahriu: Bahet mirë artist, mos sot, sot nji muej, dhe u shtrina n’dhomën e fjetjës si i vdekun!
Dardani, 22.05.2021.
LEXO EDHE:
Punëtorët shëndetësorë që janë vaksinuar në Kukës, të hënën marrin dozën e dytë