Sporti

Struga kërkon lavdinë në Evropë, trajneri Duro: Ata janë favoritë, por ne kemi besimin e duhur

06/24/2023 16:33
nga:Mergim Rreci

Struga është duke vazhduar përgatitjet për ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve ndaj Zalgiris.

Skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut ka qëndruar në Strugë për përgatitjet, kjo për shkak se aty ka të gjitha kushtet e nevojshme.

Trajneri i kësaj skuadre, Shpëtim Duro është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport‘, atje ku tha se përgatitjet po shkojnë shumë mirë, gjithashtu përmendi miqësoret me Ballkanin, Partizanin e Tiranën, skuadra këto që shihen si një test i mirë para ndeshjeve në Evropë.

“Përgatitjet po shkojnë mirë, i kemi filluar me datën 7-të. Këtu, kushtet i kemi jashtëzakonisht të mira, kemi zhvilluar pothuajse 15-të ditë stërvitje me ngarkesa të larta. Kemi zhvilluar një ndeshje miqësore në Ohër ndaj Ballkanit, kemi edhe me Partizanin dhe Tiranën, pra janë testet e duhura me skuadrat më të mira të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha fillimisht ai.

Tutje, Duro u deklarua në lidhje me kundërshtarin, atje ku tha se Zalgiris është favorit, por që edhe skuadra e tij do të luajë shanset e saj.

“Kemi dy, tre ndryshime në skuadër, është 90% e asaj skuadre që e fitoi titullin kampion. Duhet të flasim realisht, ky është debutimi ynë dhe eksperienca dhe pervoja janë në anën e kundërshtarit. Zalgiris është një skuadër që edicionin e kaluar eliminoi Ballkanin dhe Malmon, madje siguroi grupet në Conference League. Ata janë favoritë, por ne do të luajmë shanset tona. Ne po mbledhim informacionet e duhura, kemi besim dhe në futboll nuk ka asgjë të pamundur”, përfundoi Duro.

/GazetaBlic Sport/