Gjatë shtatzënisë, trupi i gruas pëson ndryshime të shumta dhe ndikuese drejtpërsëdrejti, për të mbështetur zhvillimin e foshnjës.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua gjinekologia Bleta Smajli Vitia, ku tha se trupi i nënës gjatë shtatzënisë pëson ndryshime të shumta, ku edhe sasia e gjakut rritet për disa përqindje.
“Në kohën e shtatzënisë, trupi pëson ndryshime të njëpasnjëshme të cilat janë normale për gjendjen në të cilën gruaja gjendet. Poashtu edhe sasia e gjakut te gruaja shtatzanë rritet për 20-30%, në këtë mënyrë rriten edhe kërkesat e trupit për hekur dhe vitamina të cilat janë të nevojshme për të krijuar hemoglobinën”, deklaroi ajo.
Tutje ajo tregon për hemoglobinën dhe për rritjen e kërkesave të nevojshme, të trupit të gruas shtatzanë.
“Hemoglobina është proteinë në qelizat e kuqe të gjakut që bartë oksigjenin në qelizat e tjera të trupit. Shumë nëna shtatzëna kanë mungesë të hekurit, veçanërisht në tremujorin e dytë dhe të tretë. Ndërsa kërkesat e trupit të nënave shtatzëna për hekur janë më të mëdha sesa sasia që është e pranishme, atëherë kemi të bëjmë me një gjendje anemie”, tha ajo.
Poashtu gjinekologia tutje flet edhe për simptomat kryesore dhe pasojat e shfaqura nga anemia tek nënat shtatzëna.
“Një anemi ose pakgjakësi e theksuar mund të qoj edhe në linden të parakohshme ose edhe të ketë beb me peshë të vogël në lindje. Gjithashtu në momentin që një grua me anemi të theksuar lind, atëherë mund të ketë edhe vështirësi në luftimin e infeksioneve që mund të hasen mbas lindjes. Kurse simptomat kryesore të pagjakësisë në shtatzani janë lodhja, rrahje të shpejta të zemrës, frymarrje të shkurtuar si dhe mungesë koncentrimi”, theksoi ajo.
Smajli gjithashtu tregon se kush është më i rrezikuar në rast të çrregullimeve në shtatzëni si dhe pasojat që mund të pësojë foshnja pas lindjes, nga nënat me një nga çrregullimet siç është pagjakësia.
“Më të rrezikuarat në shtatzëni nga pagjakësia janë femrat të cilat kanë shtatzëni njëra pas tjetrës, shtatzënat me binjak ose trenjak si dhe shtatzënat që kanë vjellje të shpeshta. Ndërsa disa nga problemet që mund ti pësoj foshnja pasi që të lind nga nëna me pagjakësi janë si problemet me kognicion, pasoja socio-emocionale dhe vonesa në të folur”, vazhdoi tutje gjinekologia.
Për në fund, gjinekologia Smajli përmend rekomandimet për nënat shtatzëna, si dietat e pasura me vitamina dhe kontrollet e shpeshta tek mjeku gjinekolog.
“Në momentin që e kuptoni që jeni shtatzënë, në kontrollën e parë të mjeku gjinekolog u kërkohen disa analiza të thjeshta ndër to edhe pasqyra e gjakut për të parë gjendjen momentale të hemoglobinës dhe hematokritit. Gjithashtu grave shtatzëna u rekomandohet edhe dieta e pasur me vitamina dhe hekur në mënyrë që ti ndihmojnë terapisë dhe të kemi rezultate më të shpejta drejt përmisimit të gjendjes”, përfundoi gjinekologia Bleta Smajli Vitia.
/GazetaBlic/