Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ish-kryetari i Trupit Koordinues për Kosovën, Nebojsha Çoviq, ka thënë se “është skandaloze që dikush, ndonjë shtet anëtar i Këshillit të Evropës vetëm të mendojë, e lëre më të përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, kanë raportuar mediet serbe, përcjellë Gazeta Blic.
“Është një territor i pushtuar, i cili i përket Republikës së Serbisë. Është një territor që nuk njihet nga OKB-ja,” tha Çoviq.
“Kjo ka dërguar një mesazh për atë që po bëhet. Unë kam thënë për një kohë të gjatë që Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më. Ajo nuk është zbatuar për 9 vjet dhe padyshim po përdoret për të blerë kohë”, tha Çoviq për aplikacionin e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ai thekson se tashmë është bërë e qartë se “Letrat e synimit të Washingtonit”, siç e quan ai Marrëveshjën e Washingtonit, gjithashtu nuk ekzistojnë më.
“Këto janë kërcënime të drejtpërdrejta në aspektin tregtar. Ata po e kërcënojnë Serbinë me futjen e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe duan të bëjnë presion për sanksione kundër Rusisë. Nëse kjo ndodh, nuk do të jetë më partneritet për paqe, por për trazira”, tha Çoviq.
Siç thotë ai, “Serbia nuk ka të drejtë të tregtojë me interesat kombëtare dhe shtetërore”.
“Nuk ka më çështje teknike, nuk e di vërtet se për çfarë duhet të flasim më. Mendoj se Gjermania është kyçe, si dhe Britania e Madhe. Gjithashtu, historia amerikane qëndron pas gjithë kësaj, ndërsa francezët nuk janë plotësisht të pa mëkate. Megjithatë, Gjermania mendoj se është vendimtare”, tha Çoviq.


