Sporti

COVID-19 ia la ëndrrën në gjysmë Muhamet Hysenit, lojtari shpjegon si i dështoi transferimi në Suedi për shkak të virusit!

01/02/2022 18:39
nga:Lorik J

Pandemia COVID-19 ndikoi në tërë botën, por la ndikim të palshyeshëm në botën e sportit. 

Një nga futbollistët kosovar që ia pa “sherrin” pandemisë, COVID-19 është edhe Muhamet Hyseni, i cili aktualisht luan tek skuadra e Malishevës, por po të mos ishte virusi që u përhap në tërë botën, ai sot mund të ishte në arenën ndërkombëtare, më saktësisht në Suedi.

Gjatë vitit të kaluar, Muhamet Hyseni ishte ftuar në prova tek skuadra e Suedisë, Lunds BK (Divisioni i parë), por pandemia ia ndaloi ëndrrën në gjysmë.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Hyseni tregon përvojën që kishte në Suedi.

“Përvoja në Suedi ka qenë shumë e mirë, për aq kohë sa e kam përjetuar si pervojë nga e cila kam mësuar dhe trajnerët kanë qenë të kënaqur me paraqitjet e mija”, tha fillimisht Hyseni.

Ai shpjegon saktësisht se si pandemia COVID-19 ia ndaloi që ai të nënshkruajë kontratë në Suedi.

“Por fatkeqësisht ka ndodhur kur është përhapur pandemia me Covid-19 dhe u paraqit pengesë shumë e madhe për mua se në kohën kur unë po i kryeja provat u desh që të gjithë ekipet të pezullojnë aktivitetet për një kohë të pacaktuar. Për momentin jam te FC Malisheva dhe dua që t’i ndihmojë klubit në arritjen e objektivit, fillimisht në sigurimin e mbijetesës”, shpjegon Hyseni.

Ai shpreson që ëndrrën që i mbeti në gjysmë një ditë ta realizojë – pasi po punon çdo ditë e më shumë për të.

“Shpresojë që përmes lojës te skuadra aktuale dhe paraqitjeve të mira të mund të kaloj në ekipe më të forta, potencialisht në ligë evropiane që më mundëson zhvillim profesional të mëtutjeshem dhe dukshmëri në treg”, përfundoi Hyseni.

/GazetaBlic Sport