Lajme

CorrWatch: Emërimi i Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit është në kundërshtim me ligjin

11/27/2024 13:54
nga:G B

Inicativa CorrWatch nga shoqëria civile, ka konstatuar se emërimi i Arben Krasniqit si sekretar në Zyrën e Kryeministrit, është në kundërshtim me ligjin.

Komunikata:

Iniciativa CorrWatch*, konsideron se emërimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës përbën shkelje ligjore dhe vendimi për emërim duhet të anulohet sepse i njëjti nuk ka ndjek kushtet dhe procedurën ligjore.

Pas më shumë se dy vitesh nga përfundimi i procesit të rekrutimit për këtë pozitë, Qeveria ka emëruar kandidatin e tretë në listën e tre (3) kandidatëve fitues.

Sipas paragrafit 1 të nenit 42 të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë (LZP), mbi bazën e të cilit është zhvilluar procedura e rekrutimit, mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë (në këtë rast Kryeministri) është i obliguar të përzgjedhë një nga kandidatët fitues të propozuar brenda një afati dhjetë (10) ditor nga shpallja e listës së fituesve, sipas paragrafit 8 të nenit 40. Në këtë rast, afati 10-ditor ka kaluar, pasi lista e kandidatëve fitues është shpallur më 15 korrik 2022.

LZP në paragrafin 2 të nenit 42 ka përcaktuar mekanizmin zhbllokues nëse nuk ka përzgjedhje nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë brenda afatit të caktuar, atëherë në këtë rast automatikisht konsiderohet i emëruar në detyrë kandidati me pikët më të larta

Përpos faktit që stërzgjatja e procesit të emërimit ka dëmtuar efikasitetin e procedurës së rekrutimit, CorrWatch vlerëson se emërimi i Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit është në kundërshtim me ligjin dhe si i tillë, vendimi duhet të anulohet pasi përbën shkelje të qartë të dispozitave ligjore.

CorrWatch i bën thirrje Qeverisë që të reflektojnë mbi këtë proces dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për anulimin e këtij vendimi. Ky vendim përveç se bie ndesh me dispozitat ligjore, dëmton integritetin e institucioneve publike në këtë rast Zyrën e Kryeministrit si dhe në përgjithsi proceset e rekrutimit të pozitave të larta is dhe mund të shërbej si precedent i keq edhe në institucionet tjera.

Sinqerisht,

GLPS, Instituti GAP & INDEP