Lajme

Corriere Della Serra: Krahasimi i Donbasit dhe Krimesë me Kosovën nuk qëndron

03/18/2022 16:29
nga:Astrit Gashi

Nëse në vitin 1999 NATO bombardoi Serbinë e Slobodan Millosheviqit pa asnjë autorizim të OKB-së për të garantuar pavarësinë e Kosovës, pse Rusia nuk mund të bëjë të njëjtën gjë me “regjimin neo-nazist” të Zelensky-t për të shpëtuar Donbasin dhe Krimenë? Ky është një nga argumentet pseudo-historike të përdorur nga Vladimir Putin për të justifikuar agresionin e Ukrainës.

Kështu shkruan gazetari i së përditshmes italiane “Corriere della Sera”, Giuseppe Sarcina.

Ai shkruan se kjo tezë është pjesë e propagandës së Putinit prej të paktën dy dekada.

Shpërbërja e Jugosllavisë, dënimi i Millosheviqit cilësohen si akte të “arrogancës imperialiste” nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane.
Një veprim që kishte si qëllim poshtërimin e Rusisë, shton Sarcina.

Por si shkuan gjërat në fakt? Në vitin 1995 Kombet e Bashkuara autorizuan misionin e NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë për të stabilizuar rajonin pas marrëveshjes së paqes të Dayton-it që shënoi fundin e luftës në ish-Jugosllavi (1992-1995).

Por në vitin 1999, lideri i Serbisë, Sllobodan Millosheviq urdhëroi një fushatë spastrimi etnik në Kosovë, duke sulmuar shumicën e shqiptare.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ndërhyri, sepse Kina dhe Rusia bënë të ditur se do të vendosnin veton ndaj një misioni ushtarak ndërkombëtar.

NATO-ja lëvizi më pas, me nxitjen e presidentit amerikan Bill Clinton, i mbështetur nga një rezolutë e Kongresit Amerikan.

Aeroplanët e Aleancës Atlantike bombarduan Beogradin për 10 javë, derisa Millosheviqi tërhoqi ushtrinë nga Kosova.

Në vend të tyre erdhën trupat e Aleancës. Clinton shpjegoi se operacioni ishte “një detyrë morale për të parandaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Në vitin 2000 Millosheviqi u rrëzua nga pushteti pas një kryengritje popullore.

Udhëheqësi serb u akuzua më vonë për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe për ish-Jugosllavinë, të instaluar nga Kombet e Bashkuara.
Ai vdiq në vitin 2006, para se të përfundonte gjyqi.

Tani, dallimet me situatën në Ukrainë janë thelbësore, vëren gazetari italian.

Para së gjithash, ndarja e Krimesë dhe Donbasit u bë me një operacion ushtarak të kryer direkt ose indirekt nga Rusia, duke shkelur parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Nuk ka pasur luftë dhe ne ende nuk e dimë se cili është vullneti i shumicës së qytetarëve që jetojnë në Krime apo Donbas.

Në vitin 2014, në Krime u mbajt një referendum të cilin OSBE-ja, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e shpalli “të paligjshëm në formë”.

Në Kiev, askush nuk ka planifikuar kurrë “një gjenocid”, siç pretendon Putin, për të zhdukur popullsinë rusisht-folëse.

Nëse ka ndodhur gjë, ka qenë pikërisht e kundërta: shumë ukrainas properëndimorë janë detyruar të largohen nga Donbasi.