Sporti

Conte vazhdon të flasë për transferime: Kur u emërova më thanë se do të ketë nënshkrime të reja

01/01/2022 19:23
nga:E K

Tottenham regjistroi një fitore të rëndësishme në minutat e fundit të shtesës, duke e mposhtur skuadrën e Claudio Ranierit në udhëtim.

Heroi i ‘Spurs’ doli të jetë mbrojtësi Davinson Sanchez i cili u gjend mirë në zonë duke goditur me kokë një top të harkuar nga Heung Son-min, duke e mposhtur portierin në minutën e 96-të të ndeshjes.

Pas ndeshjes, Conte u shpreh i lumtur me tre pikët, megjithatë ai vendosi që edhe një herë fokusin ta vendos diku tjetër.

Italiani ka insistuar se skuadra e tij ka nevojë për nënshkrime të reja në janar, duke theksuar se për këtë ishin dakorduar me zyrtarët e Spurs kur ai u emërua menaxher i londinezëve.

“Duhet të flasim për nënshkrime të reja, po. Kur u emërova, më thanë se do të takoheshim për të biseduar për nënshkrime të reja. Tani e kam gjithçka të qartë [për ekipin aktual]”, u shpreh italiani.

Ai u pyet edhe për Lukakun me deklaratat e fundit nga belgu, megjithatë italiani u kursye duke u përgjigjur shkurtimisht.

“Fjalët e Lukakut? Ndjej dashuri të madhe për të, por ai është lojtar i Chelseat”, përfundoi Conte.