Orë intensive te Napoli, që është vetëm një hap larg zyrtarizimit të trajnerit të ri për sezonin ardhshëm. Pas dështimit për të marrë Gasperinin, De Laurentiis është fokusuar totalisht te Antonio Conte dhe palët janë shumë pranë firmës mbi kontratë.
Drejtori Sportiv i napolitanëve, Manna është takuar me Conten dhe agjentët e tij dhe po diskutojnë detajet e fundit, teksa gjasat janë që nga e hëna të vijë edhe zyrtarizimi i Antonio Contes dhe stafit të tij te Napoli.
Trajneri 55-vjeçar pritet të firmosë për dy sezone, teksa u ka vënë edhe kushtet e tij napolitanëve, që lidhen si me stafin teknik, ashtu edhe me futbollistët që pret të afrojë në merkato. Kështu bashkë me Conten pritet që te Napoli të shkojë si menaxher i skuadrës edhe Gabriele Oriali, i cili ka shoqëruar trajnerin te Italia dhe te Interi më herët.
Gjithashtu Conte ka kërkuar që De Laurentiis t’i sjellë në skuadër Romelu Lukakun, sulmuesi belg që njihet si “benjamin” i teknikut italian dhe që pasi e shoqëroi te Interi është gati ta ndjekë pas edhe në Napoli.
Për të mbërritur te belgu gjithçka duket e lehtë, pasi Osimhen kërkohet me ngulm nga Chelsea, që disponon kartonin e Lukakut dhe palët mund ta përfshijnë në të njëjtën marrëveshje që do të çonte nigerianin në Londër.
Orët e ardhshme janë vendimtare, teksa optimizmi në median italiane është i madh për arritjen e një marrëveshjeje mes Contes dhe De Laurentiis, për t’i dhënë Napolit një trajner shumë ambicioz dhe me mentalitet fituesi, i cili do të mund të rikthejë sërish të kaltrit në nivele të larta.