Trajneri i Tottenham Hotspur ka folur në lidhje me lajmet që po qarkullojnë së fundmi në Angli.
Gjatë ditës së sotme u raportua se në kampin e Tottenham Hotspur ka ndodhur një helmim në ushqimin e tyre.
E lidhur me këtë ka folur trajneri Conte. Ai tha se ka ndodhur në dy raste diçka e tillë, por që janë duke e kaluar atë situatë.
“Nëse e mbani mend ndeshjen e fundit, ne kishim tre ose katër raste me probleme me stomakun. Këtë javë, duhet të jem i sinqertë, kemi pasur nja dy raste, por e kemi kapërcyer situatën, po ashtu edhe anëtarët e stafit një ditë nuk po ndiheshin aq mirë”, ishin fjalët e Contes.
Përkundër asaj çka ka ndodhur, italiani tha se janë të fokusuar për ndeshjen e tyre të fundit.
“Nuk e di pse javën e fundit por edhe këtë javë jemi përballur me këtë situatë. Në këtë moment, megjithatë, ky virus është i fundit nga problemet tona. Jemi afër një arritjeje të madhe dhe jemi totalisht të fokusuar”, shtoi Conte.
Tottenham do të përballen me Norwich City në xhiron e fundit në Premierligë, të dielën në orën 17:00.
Në rast të fitores ‘Spurs’ do të sigurojnë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.


