Lajme

Çollaku: Nuk po ndryshon arroganca e Kurtit, suspendimi eventual për viza sjell pasoja të pariparueshme për qytetarët

08/29/2023 13:54
nga:Genita C

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku thotë se Qeverisja e Albin Kurtit do të mbahet mend vetëm si periudhë e sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çollaku në një prononcim për GazetaBlic thekson se, paralajmërimet e fundit të presidentit francez janë tejet shqetësuese.

“Periudha e regjimit të Albin Kurtit, ndër të tjera, do të mbahet në mend edhe si periudha e sanksioneve nga ana e BE-së dhe ShBA-së kundër Kosovës, si ndëshkim për veprimet e gabuara të qeverisë aktuale”, tha ai.

“Në një situatë të tillë, paralajmërimet për veprime shtesë sanksionuese apo ndëshkuese kundër Kosovës nga ana presidentit të Francës, z. Emanuel Macron duhet konsideruar tepër shqetësuese”, shtoi tutje Çollaku.

Çollaku potencon se, partnerët ndërkombëtar theksojnë se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për situatën në veri, ku sipas tij këta të fundit nuk mund ta mashtrojnë BE-në as SHBA-në me veprimet e tyre.

“Një gjë është e sigurt se udhëheqësit aktual shtetror të Kosovës, nuk mund ta mashtrojnë BE-në dhe as SHBA-në lidhur me veprimet e tyre të gabuara që i kanë bërë gjatë gjithë këtij viti në veri të vendit. Këto veprime kanë nxitur dhunë dhe kanë tensionuar situatën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke bërë të pamundur zbatimin e marrëveshjes Kurti-Vuçiç. Si pasojë, partnerët tanë kanë identifikuar se qeveria e Kosovës dhe konkretisht kryeminstri Kurti janë përgjegjës për situatën e tensionuar në veri të vendit. Kjo i ka shtyrë shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-të që të vendosin sanksione politike, ekonomike dhe financiare të përkohshme kundër Kosovës”, tha ai.

Kosova është ende nën sanksione, por sipas Çollakut kokëfortësia e kryeministrit Kurti nuk ka ndryshuar dhe nuk është duke i përmbushur kërkesat e BE-në për deeskalimin e situatës në veti.

“Fatkeqsisht, kokëfortësia dhe arroganca e Kurtit nuk është se ka ndyshuar edhe pas vendosjes së sanksioneve. Qeveria e Kosovës ende nuk i ka përmbushur kërkesat e BE-së për de-eskalim të gjendjës në veri të Kosovës”, thotë Çollaku.

“Në mungesë të përmbushjës së këtyre kërkesave, pasojnë paralajmërimet për mundësinë e prolongimit apo anulimin e zbatimit në praktikë të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke filluar nga janari i vitit 2024. Këto paralajmërime apo kërcënime, duhet të merren seriozisht dhe të adresohen menjëherë nga qeveria e Kosovës. Në të kundërtën, një prolongim apo suspendim eventual i zbatimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, do të sjell pasoja të pariparueshme për qytetarët tanë dhe përspektivën tonë euro-atlantike. Kjo situatë duhet shmangur me çdo kusht!”, tha Çollaku për GazetaBlic.

Xhavit Haliti: Paralajmërimi i Macron për vizat, shumë serioz, pasojat do t’i vuanin qytetarët!

Ultimatumi i Macronit për vizat, ish-ministrja e Integrimeve: Qytetarët të mobilizohen për rrëzimin e Qeverisë Kurti